Filipçe: Nuk kemi informacione se kur do të arrijnë vaksinat Johnson&Johnson


Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në konferencën e sotme për shtyp tha se ende nuk ka datë të saktë se kur do të arrijnë 250 mijë vaksina Johnson&Johnson në Maqedonia e Veriut, vaksina këto që ishin paralajmëruar si donacion nga Danimarka.

“Ende nuk kemi informacione konkrete, ishin paralajmëruar në dy raste. Fillimisht si informacion dhe mundësi që e pranuam, para disa javëve me vërtetim përfundimtar se ato vaksina mund të vijnë në vendin tonë. Afati i vaksinave është deri në vitin 2023, por datë konkrete ende nuk kemi”, tha mes tjerash Filipçe.

Ndryshe, vaksina e kompanisë amerikane Johnson&Johnson aplikohet me vetëm një dozë ndërkaq është e zhvilluar me teknologjinë standarde të vaksinave të mëhershme, respektivisht nuk përmban teknologjinë m-RNA.Vendi deri më tani ka përdorur vaksinat Pfizer, Sputnik V, Sinopharm dhe Sinovac. Maqedonia e Veriut aktualisht ka në dispozicion 250 mijë vaksina të kompanisë Pfizer, 50 mijë doza të kompanisë kineze Sinovac dhe rreth 100 mijë vaksina të kompanisë Astra Zeneca.