Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe sot deklaroi se spitalet në tërë vendin po ballafaqohen me mungesë të kuadros mjekësore, dhe se kjo nuk është rast vetëm te ne, por edhe në vendet e rajonit. Filipçe bëri me dije se duke e marrë parasysh situatën me Kovid-19, në këtë moment, nuk ka mjek të papunësuar ose të paangazhuar në shtetin tonë.
“Problemi me kuadrot është i pranishëm në territorin e tërë shtetit dhe secili spital, duke përfshirë edhe klinikat në Shkup, po ballafaqohen me problemin e njëjtë. Edhe në vet klinikat infektive nga fillmi i krizës nuk kanë mundur vetë infektologët, të cilët janë të paktë në numër, diku rreth 50 në tërë shtetin, të ballafaqohen me valën e madhe të pacientëve.
Dhe për këtë shkak, për ndihmë arritën mjekët nga profesionet tjera, para së gjithash internistë. Tani edhe ata janë të angazhuar në kuadër të reparteve të tyre. Janë zbrazur repartet interne në klinikat në Shkup dhe tani internistët së bashku me pulmologët dhe anesteziologët punojnë dhe i shërojnë këta pacientë”, deklaroi Filipçe, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas vizitës në spitalin e Strumicës, së bashku me kryeministrin Zoran Zaev.
Kjo, siç tha, është problem me të cilin ballafaqohet absolutisht secili vend në rajon. E potencoi Bullgarinë si shembull ku punonjësit shëndetësorë janë mobilizuar dhe të gjithë ndihmojnë aty ku trajtohen pacientë nga Kovid-19. Ministri i Shëndetësisë theksoi se pas takimit me mjekët privatë, rreth dhjetë prej tyre janë paraqitur të ndihmojnë në ballafaqimin me Kovid-19, ashtu që ende nuk ka nevojë të angazhohen mjekë të pensionuar.