Filipçe: Nuk është koha për hapjen e çerdheve në Maqedoni

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, thotë se nuk ka datë të saktë kur do të hapen kopshtet për fëmijë, por një gjë është e sigurt se ato nuk do të hapen në këtë moment, për shkak të numrit të lartë të rasteve të reja me COVID-19.

“Është vështrë të themi kohë t ësaktë kur do të hapen, megjithatë tani është e sigurt se jo”, tha Filipçe, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve gjatë vizitës në Spitalin e Kozles (spital për fëmijë), ku tani pranohen pacientë me coronavirus.

Ai potencoi se vendimi për të bërë skrining tek të punësuarit është sjellë në periudhën kur situata me pandeminë e lejoi një gjë të tillë – të mendohet hapja e çerdheve.

“Në momentin kur u vendos të bëhet skrining tek të punësuarit në çerdhe, gjendja ishte e tillë çerdhet mund të hapeshin. Por, për shkak të rritjes së numrit të rasteve të reja, nuk është koha për hapjen e çerdheve, pasi fëmijët janë ndër transmetuesit më të mëdhenj të virusit në familjet e tyre”, tha Filipçe.