Filipçe nuk e përjashton mundësinë e rritjes së masave restriktive


Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në paraqitjen e tij të sotme tha se vendi po regjistron rritje të rasteve me Covid-19, transmeton Alsat. Sipas tij kjo rritje është për shkak të variantit të ri të virusit korona që është më ngjitës.

“Ka një rritje të numrit të pacientëve me Covid-19 në vend. Për momentin ende vazhdojnë ekzaminimet në laboratorin e ASHAM. Gjatë ditës së djeshme kam biseduar me përfaqësues të laboratorit nga Klinika “Zhan Mitrev”, ku lloji britanik i koronavirusit është i pranishëm në 70 për qind të rasteve. Shihet qartë se numri i personave të infektuar po rritet, dhe pjesë e kësaj rritje të numrave është për shkak të pranisë së këtij këtij lloji të virusit, i cili transmetohet më lehtë”, deklaroi Filipçe duke shtuar se numri i pacientëve që janë të shtruar në spitale gjithashtu është rritur, por jo në atë masë sa të rrezikojnë kapacitetet spitalore.

Sa i përket masave për mbrojtje nga Covid-19, Filipçe tha se përfundimisht ka gjasa që të shtohen masat restriktive, por jo për momentin.

“Shohim dhe ndjekim nëse ky trend do të vazhdojë në këtë mënyrë deri sa të arrijë shkallën që të jetë rrezik që sërish të mbushen kapacitetet spitalore, dhe për shkak se për momentin nuk ka indikacione të tilla, mendoj se është diçka që menaxhohet mirë tani për tani, por nuk e përjashtoj këtë mundësi”, shtoi Filipçe.