Filipçe: Nëse nuk janë mediat ne nuk mundemi ta dërgojmë porosinë te qytetarët, ju faleminderit

 

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Në konferencën e djeshme për shtyp ka theksuar se tërë këtë periudhë kemi një marrëdhënie të hapur dhe transparente, me çka është dëshmuar se mediat janë njëri ndër partnerët më të mirë, njofton Portalb.mk.

“Tërë këtë periudhë kemi një marrëdhënie të hapur dhe transparente. Tregim me absolutisht të gjitha detajet, por edhe argumentin në sqarimin e hapave, masave, analizave në çka bazohen konferencat për shtyp të cilat janë të përditshme, ndonjëherë edhe dy herë në ditë. Kështu, në tërë këtë proces, mediat i kemi llogaritur si në fillim ashtu edhe tani, a në ndërkohë edhe u dëshmua – si një ndër partnerët më të mirë. Për atë vetëm mund të them se mund të kemi sukses, pasi që jemi të gjithë bashkë në këtë luftë”, theksoi ministri Filipçe.

Në reagimet me padurueshmëri gjatë përgjigjeve, ministri Filipçe tha se nëse ka pasur ndonjë mënyrë të tillë të përgjigjes nga ana tij në konferenca për shtyp, por edhe nga ana e kryetarit të Komisionit për Sëmundje Infektive, Zharko Karaxhovski ose drejtorit të Institut të Shëndetit Publik, Arben Ziberi, nuk ka pasur kurrfarë tendence.

“Tërë këtë proces e kemi udhëhequr bashkë, në partneritet me mediat. Në atë kuptim, sistemi shëndetësor, mediat dhe institucionet të cilët duhet të bëjnë kontroll dhe sanksion janë bashkë. Të gjithë jemi bashkë në këtë luftë. Çdokush ka pjesën e tij dhe rolin e tij. Nëse nuk janë mediat ne nuk mundemi ta dërgojmë porosinë te qytetarët të cilët janë një segment shumë serioz në këtë luftë. Dëshiroj t’i falënderoj absolutisht të gjithë mediat për marrëdhënien korrekte gjatë tërë kësaj periudhe të kaluar”, tha Filipçe.

Reagimi i Filipçes erdhi pasi që kryetari i Komisionit për Sëmundje Infektive, Karaxhovski dje me tone të ashpra u përgjigjej gazetarëve të cilët kërkonin llogari për rritjen e numrit të të infektuarve.