Filipçe: Më shumë se gjysma e të hospitalizuarve në Tetovë kanë qenë në ahengje

Nga 15 gushti në Maqedoninë e Veriut do të ketë masa të reja shtrënguese për mbrojtje më të madhe nga COVID-19. Rritja e rasteve të reja bëri Qeverinë që mbrëmë të sjellë vendim për restrikcione të reja. Për këto në mëngjes foli ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, i cili tha se këto masa të reja vijnë si pasojë e mosrespektimit të masave aktuale për organizimet në ambiente të mbyllura.

“Problem është mosrespektimi i protokolleve, jo ngjarjet që organozohen”, tha Filipçe, duke treguar paraprakisht që Qeveria ka vendosur që “pas 15 gushtit të ndalohen të gjitha ngjarjet dhe festimet në ambiente të mbyllura dhe nga 16 gushti detyrimisht të tregohet certifikatë vaksinimi me të paktën një dozë për ata qytetarë që duan të marrin pjesë në ngjarje në ambiente të mbyllura”.

Filipçe më tej tregoi se Tetova është qyteti më kritik, ku hospitalizohen më së shumti qytetarë.
“Më shumë se gjysma e pacientëve të hospitalizuarve në Tetovë kanë qenë në ahengje dhe festa”, tha ministri, duke shpjeguar se pas Tetovës, qytetet me më shumë raste të reja janë Gostivari, Kumanova, Kërçova, Strumica e Kavadari, ndërsa në qytetet e tjera nuk ka presion shumë të madh.

Numri i rasteve me llojin Delta po rritet edhe në vendet e rajonit, tha Filipçe, duke shtuar se vaksina mbetet mekanizmi i vetëm me të cilin mund ta ndryshojmë situatën në vend.
“Nga numri i përgjithshëm i të shtruarve në spitale, nën 10% janë pacientë që janë vaksinuar me dy doza dhe nuk janë në gjendje kritike”, tha Filipçe, duke sqaruar se vaksina për 20 herë e ulë rrezikun e vdekshmërisë.
U shpreh po ashtu se në vend ka vaksina të mjafrueshme, rreth 400 mijë doza, andaj apeloi për vaksinim sa më të madh, duke shtuar se nuk mund të jetojmë me masa shtrënguese.