Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe sot në konferencë për shtyp ju bëri thirrje pacientëve me coronavirus të mos japin të dhëna të rreme për kontaktet që kanë pasur, me qëllim që të parandalohet përhapja e coronavirusit.
Ai tha se “na pret një betejë e gjatë me coronavirusin”, dhe se duhet të mësohemi të jetojmë me të, por edhe qytetarët nuk duhet të gënjejnë për kontaktet.
“Rekomandimet e komisionit mbeten të njëjta. Vala ende po zgjat, edhe pse dy nga vatrat më të mëdha, në Tetovë dhe Shtip po dobësohen. Tani jemi të koncentruar në menaxhimin për parandalimin e sëmundjes këtu në Shkup. Na pret një luftë e gjatë me virusin, por duhet të mësohemi të jetojmë me të. Kjo është mënyrë e re e jetesës, mbajtja e largësisë trupore, mbajtja e maskave dhe dezinfektim i rregullt i duarve. Megjithatë, duhet të jepen edhe të dhëna të sakta, kemi disa raste që për shkak të mos dhënies së të dhënave të sakta, punonjës shëndetësor ndodhen në vetizolim”, thotë Filipçe.
Ai ju bën apel qytetarëve të japin të dhëna ta sakta dhe të respektojnë institucionet.
“Ju bëj apel pacientëve të japin të dhënat e sakta dhe të respektojnë institucionet. Posaçërisht për punonjësve shëndetësorë, të cilët këtë luftë nuk mund ta fitojnë vet. Jetesa duhet të vazhdojë, nuk mund të mbesin të mbyllur me kufizime”, tha mes tjerash Filipçe.