Filipçe: Masat parandaluese kanë treguar rezultat

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe përmes rrjetit të tij social facebook, sot ka vlerësuar se masat kufizuese kundër COVID-19 kanë dhënë rezultat pozitiv dhe se pandemia shënon trend ulës.

“Megithatë, përvoja na ka treguar se shumë shpejtë mund të destabilizohet nëse nuk respektohen masat. Para nesh pasojnë festa, ditë të lira dhe mot i mirë. Le t’i shfrytëzojmë me përgjegjësi, të mos grupohemi dhe të mos i shkelim masat mbrojtëse”, ka shkruar Filipçe në facebook.

Gjithashtu shtoi se javët në vijim do të arrijnë një sasi e madhe e vaksinave dhe se do të shtohen mundësitë për vaksinimin e qytetarëve në maksimum.

“Ju siguroj se do të vaksinohemi në mënyrë të shpejtë dhe efikase me qëllim që sa më shpejtë qytetarët të fitojnë imunitet. Prej jush kërkoj vetëm respektimin e masave të cilat do të na mbrojnë prej valës së re eventuale pas festave”, shprehet Filipçe./Pa Censurë/