Filipçe: Krahasimi i numrave të thjeshtë nuk ka kuptim, rastet e reja janë asimptomatik ose me pasqyrë të lehtë klinike

“Krahasimi i thjeshtë i numrave të COVID-19, nuk është tregues real për gjendjen, por e rëndësishme është të dihet cila është arsyeja e rritjes së numrit të rasteve të reja me sëmundjen. Sistemi që ne e zbatojmë: testimi i gjerë dhe identifikimi i kontakteve, madje edhe pacientëve asimptomatik, mendoj se është i shkëlqyeshëm. Çdo qasje tjetër mund të na çojë në mbingarkesë të spitaleve, ndërsa kësaj ne duam t’i ikim. Për këtë arsye, krahasimi i numrave të thjeshtë në nivel rajonal nuk ka kuptim”.

Këtë e tha sot ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, pas vizitës s ëtij në Spitalin e Ohrit. Ai shtoi se është praktikë e shtetit që të bëhet testim i gjerë, jo vetëm i personave me simptoma, por edhe kontaktet e tyre, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Përqindje e lartë e rasteve të reja janë pa simptoma ose me pasqyrë të lehtë klinike, por me testim mund të parashohim çfarë do të ndodh si presion mbi kapacitetet spitalore, si mbi spitalet, poashtu edhe mbi kuadrin”, tha Filipçe.

Ai shtoi se pandemia e coronavirusit në nivel botëror nuk dobësohet, duke shtuar se çdo kund ku ka zbutje të masave, ka raste të reja.