Filipçe: Kërkohet formë juridike si të lirohen nga karantina dhe vetizolimi personat që ditëve të fundit kanë hyrë në vend

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe thotë se vendimi qeveritar për hapjen e kufijve është sjell për shumë arsye, së pari që R0 faktori për bartjen e virusit disa ditë ka qenë në editim, se një pjesë shumë e vogël e personave të dërguar në karantinë ose vetizolim pas hyrjes në vend kanë zhvilluar simptoma, si dhe për shkak të asaj që Maqedonia e Veriut ishte e vetmja nga rajoni me kufij të mbyllur. Në ndërkohë, potencoi, kërkohet formë juridike si të lirohen nga karantina ose vetizolimi personat të cilët ditëve të fundit kanë hyrë në vend.

“Ne kemi në vazhdimësi, sipas analizave tona prej 20-21 qershor RO faktor nën njësinë, që mendojmë se është trend i mirë. Të gjitha këto analiza dhe numra në kuptim të parashikimit do t’i them me rezervë, sepse çdoherë ka mundësi të ndodhë ndonjë vatër e cila është e papritur dhe nuk e kemi parashikuar. Ne jemi një prej vendeve të rralla në rajon që kemi kufij të mbyllur dhe në këtë kuptim ishte rekomandimi që kufijtë të hapen”, ka thënë Filipçe në konferencën e sotme për shtyp.

Ai shtoi se një përqindje shumë e vogël prej atyre të cilët janë dërguar në karantinë ose vetizolim kanë zhvilluar simptoma. Klto, potencoi, janë disa dhjetëra nga mijëra të cilët ishin të izoluar në karantinë.

“Për momentin kërkohet formë juridike me të cilën njerëzit të cilët tani kanë një vendim të tillë për izolim dhe i kanë kaluar kufijtë do të lirohen nga izolimi dhe nga karantina shtetërore. Juristët dy ditë intensivisht punojnë në këtë fushë dhe janë afër zgjidhjes”, ka thënë ministri i Shëndetësisë.

Ai thotë se presioni ndaj spitaleve nuk është ashtu siç ka qenë në fillim. sipas tij, ka diçka më pak pranim në krahasim me atë që ishte numri javën e kaluar, por, siç potencoi, në të njëjtën kohë kanë filluar edhe një numër i caktuar i pacientëve të çregjistrohen.