Përveç certifikatës së vaksinimit se kemi pranuar më së paku një dozë të vaksinës, gjatë hyrjes në objektet dhe në ngjarje, do të mjaftojë të dorëzojmë edhe vërtetim se kemi qenë të sëmurë nga Covid-19 në 45 ditët e fundit.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
“Sa i takon masave, më lejoni që të paralajmëroj se ka një plotësim se përveç certifikatës së vaksinës të më së paku një doze, për hyrje në të gjitha ngjarjet të cilat do të organizohen në të mbyllur dhe të hapur, do të mjaftojë të tregohet edhe vërtetimi se pacienti ka qenë i sëmurë nga Covid në afat prej 45 ditësh”, tha Filipçe.
Ky është qëllimi i masave, të rritet përqindja e vaksinimit, tha ai.
“Besoj se qytetarët e morën mesazhin për masat dhe dua të ju falënderohem pasi kemi tregues se më të vërtetë është rritur interesimi pas këtij paralajmërimi (të masave). Nëse qytetarët kanë dilema, dua t’i inkurajoj të shkojnë të vaksinohen, pasi kjo është mënyra për të arritur imunitet kolektiv”, tha Filipçe.