Filipçe: Ja kur do të hapen kufijtë!

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe porositi që qytetarët të mos bëhen gati për të udhëtuar sepse kufijtë tokësor nuk janë në plan për tu hapur përpara muajit qershor

“Ka shumë çështje të hapura, siç me ka informuar kolegu grek, Greqia do t’i hap kufijtë në qershor, pra nuk do të ketë asgjë në maj, megjithatë ne do të arrijmë zgjidhje me takimin e përbashkët dhe koordinimin, sepse mund të sjellim masa që do t’i respektojnë të gjithë qytetarët nga të gjitha shtetet përreth në qoftë se udhëtojnë kudo. Mendoj se vetëm kjo mund të jetë zgjidhje e suksesshme”, tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Filipçe thotë se zbutja e masave vjen si rezultat i përmirësimit të gjendjes me koronavirus dhe nuk bëhet për pikë politike. Ai tha se nuk është e vërtetë edhe se po testojnë më pak qytetarë që të kenë më pak raste të të infektuarve, por se masat e Qeverisë kanë pasur sukses.

“Janë paraqitur spekulime dhe teza se kriza shëndetësore ose lehtësimi i masave mund të shfrytëzohet për qëllime politike ose në interes të zgjedhjeve. Dua qartë të ju them se që dy-tre muaj për aq sa ka zgjatur kjo krizë asnjë vendim nuk është sjellë nën presion politik e as për ndonjë interes politik”, tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Përndryshe nga java e ardhshme edhe institucionet shëndetësore do t’i kthehen normalitetit, duke i hapur dyert për të gjithë pacientët. Në takimin e nesërm në mes Ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe dhe drejtorëve të spitaleve do të vendoset mënyra e funksionimit të klinikave, se sa pacientë do të pranojnë për vizitë dhe si do të zhvillohen intervenimet kirurgjike të cilat janë prolonguar tashmë dy muaj. Terminet për kontroll do të caktohen përmes “Termini im”.