Filipçe: Gjendja e pacientëve me Koronavirus është stabile


Dy personat e tjerë të prekur nga koronavirusi janë dy bashkëshortët nga Dibra të moshës 62 dhe 68 vjeçare, të cilët kanë qenë në Bresha të Italisë Veriore. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe bëri të ditur se ata janë kthyer më datë 27 të muajit të kaluar, mirëpo atëherë mjeku amë nuk ka arritur të konstatojë simptome të koronavirusit, ndërsa më 2 mars u janë paraqitur simptomet e para.

“Gjatë qëndrimit të tyre në shtëpi kanë pasur kontakte vetëm me vëllanë e gruas. Personat e prekur kanë pasqyr të lehtë klinike dhe gjendja e tyre është stabile. Gjasat janë shumë të ulëta që vurusi të transmetohet tek tjetri, megjithatë kjo nuk jep garancë”, tha Filipçe.

Në autobusin me të cilin kanë ardhur këto dy persona kanë qenë edhe 38 të tjerë, të cilëve, siç tha ministri, do u bëhet intervistë dhe detajet më pas do t’i kumtohen opinionit. Rrezik potencial siç tha Filipçe mund të kenë udhëtarët që kanë qenë të ulur në 3 radhët e para dhe në 3 të pasme të ulësve, ku kanë qenë të ulur dy pacientët me koronavirus.