Dy ditë pas publikimit të intervistës me 16 vjeçen Mia Çiçkariq e cila vuan nga tipi 1 i diabetit te të miturit, ministri për Shëndetësi, Venko Filipçe paralajmëroi prokurim të sensorëve për matje të diabetit, pa dhimbje. Mia në intervistë e kërkoi pikërisht këtë, duke thënë që dëshira e saj më e madhe është të gjithë fëmijët të marrin sensorë për matje të glikemisë që të mos u dhëmbin gishtat nga shpimi me matësit që tani përdoren në vendin tonë.
“Kur e lexova storjen e djeshme për 16 vjeçen Mia e cila ka diabet menjëherë e kontaktova dhe e ftova të takohemi. Mian dhe nënën e saj, Jasmina sot e kisha kënaqësinë t’i kem mysafirë në punë. Desha personalisht ta njoftoj që sot filloi procedura për prokurim të sensorëve për diabet që për herë të parë në vendin tonë do t’u jepen falas pacientëve”, ka shkruar ministri Venko Filipçe në postimin e tij në Fejsbuk.
Siç shtoi ai, në fazën e parë do të prokurohen sensorë për të gjithë fëmijët deri në moshën 18 vite, ndërsa me prokurimin e ardhshëm do të rritet edhe kufiri i moshës.
“Qëllimi ynë është të sigurojmë sensorë falas për të gjithë pacientët me diabet dhe me atë konsiderueshëm do t’ua rrisim cilësinë e jetës”, informon Filipçe duke shtuar që ky është segmenti i fundit për ndryshim të pasqyrës për trajtimin e pacientëve me diabet.
“Tani i kemi insulinat më bashkëkohore origjinale, me të cilat sigurojmë trajtim të diabetit sipas shembullit të vendeve në Evropë”, informon ministri Filipçe.
Nëna e Mias, Jasmina Çiçkariq, për “Meta.mk” sqaron që në takimin me ministrin, ai ka kërkuar ta shohë aparatin që vajza është duke e përdorur momentalisht për matje të glikemisë dhe të cilin prindërit e saj e blejnë nga jashtë vendit. Një aparat i këtillë kushton 60 euro dhe mund të përdoret më së shumti dy javë.
“Ai na siguroi që deri në Vitin e ri do t’i kemi sensorët në shtet dhe fëmijët me diabet do t’i kenë ato në dispozicion. Jemi shumë të kënaqura edhe unë edhe bija ime, që më në fund do të na lehtësohet beteja të cilën e zhvillojmë çdo ditë”, thotë nëna Jasmina.
Mia mëson në gjimnazin “Orce Nikollov” në Shkup. Për tipin 1 të diabetit te të miturit, nuk ekziston ilaç tjetër përveç insulinës.
“Meta” sot komunikoi edhe me Natasha Despotovska Dimitrievska, kryetare e “Balans-Mk” asociacioni për diabet fëminor i Maqedonisë. Ajo tha që për këtë problem të mospasjes së sensorëve për matje të glikemisë pa dhimbje deri tani janë drejtuar te të gjitha institucionet kompetente.
“Gjithkund në botë këto aparate janë falas. Fëmijët tonë janë të kategorizuar me shkallën më të lartë të invaliditetit për shkak të tipit 1 të diabetit. Edhe ne para disa kohe kishim takim me autoritetet kompetente dhe shpresojmë që ky premtim do të plotësohet”, thotë Despotovska Dimitrievska.