Filipçe: Duhet të mbështetet interpelanca për Afrim Gashin

Qëndrimi im personal është se interpelanca për kryetarin e kuvendit duhet të mbështetet për shkak se janë bërë shumë shkelje, dhe ne ishim ata që e informuam publikun për këto çështje. Nuk ishim vetëm ne, institucionet gjithashtu dolën dhe konstatuan shkeljen e disa rregullave të sjelljes nga ana e funksionarëve. Megjithatë, lejoni të theksoj se ky është vetëm qëndrimi im, të cilin do ta mbroj dhe do ta shpalos gjatë koordinimit të sotëm, por le të merret një qëndrim zyrtar nga partia, u përgjigj sot presidenti i LSDM-së, Venko Filipçe, në një pyetje nga gazetarët, i cili mori pjesë në fillimin e vitit të ri shkollor në SHFK “Kole Nedelkovski” në Shkup.

Në një pyetje nga gazetarët lidhur me takimin me ish-ministren e Kulturës, Bisera Kostadinova-Stojçevska, dhe nëse do të kërkojë që ajo të tërhiqet nga funksionet nëse konstatohen parregullsi, lideri i LSDM-së shprehu mendimin se partia në pushtet duhet t’ua dorëzojë të gjitha dokumentet institucioneve dhe të mos bëjë PR partiak.

“Mendoj se është absolutisht e papranueshme që një parti që është në pushtet të përdorë informacione të tilla dhe t’i paraqesë ato vetëm në konferenca për shtyp partiake. Kjo, në një mënyrë, është PR partiak, i cili nuk e di si i ndihmon atyre, ndoshta ata e dinë vetë. Duhet të ndërhyjnë dhe t’i dorëzojnë të gjitha dokumentet që kanë në institucione, që ato të hapin procedura, dhe nëse konstatohet ndonjë përgjegjësi, të merren masat e duhura,” tha Filipçe.

Në pyetjen se cili është qëndrimi i tij në lidhje me deklaratën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese për përdorimin e Ligjit për Gjuhët, i cili u miratua kur LSDM ishte në pushtet, dhe për pasojat e mundshme në rast të anulimit të këtij ligji, Filipçe tha se nuk do të komentonte deklaratat e asnjë institucioni tjetër dhe se, aq sa ai dinte, Gjykata Kushtetuese nuk kishte vendosur për përdorimin e plotë të Ligjit për Gjuhët, por për përdorimin e pjesshëm. Sa i përket kësaj çështjeje, partia do të marrë një qëndrim dhe gjatë ditëve në vijim do ta informojë publikun.