Filip Riker: Prishtina le ta suspendojë taksën,është koha për dialog !

Ish-ambasadori i SHBA-së në Maqedoni, Filip Riker, i cili është zëvendës civil dhe politik i komandantit të Komandës Evropiane të Forcave Ushtarake të SHBA-së dhe ndihmës sekretar i ardhshëm shtetëror amerikan për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në një konferencë në Shkup ka folur për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, përmes procesit të dialogut. Riker me këtë rast i ka bërë thirrje Prishtinës të suspendojë taksën, në mënyrë që sa më parë të vazhdohet me dialogun. Ai ka thënë se ky është një nga ato momentet kur miku i Kosovës, SHBA i kërkon suspendimin e taksës sepse SHBA beson se kjo është forma e vetme për të ecur përpara në dialogun me Serbinë. Riker ka thënë se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe procesi i dialogut do të jetë mundësia e radhës për një marrëveshje finale midis dy vendeve. Kështu që sipas tij, ky do të jetë prioriteti i radhës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai po ashtu ka thënë se presidenti Donald Trump i ka ftuar liderët e Kosovës dhe Serbisë për të lënë anash të kaluarën dhe të vazhdojnë përpara bashkërisht për një të ardhme paqësore dhe përparimtare.