Thomas Zilliacus, dje i komunikoi botës dëshirën e tij për të blerë Interin dhe konfirmoi synimet që ka në mikrofonat e gazetës torineze “Tuttosport”: “Dje nënshkruam marrëveshje me investitorët për një koleksion prej 2.5 miliardë dollarësh me kapitalin tim të shekullit XXI. Tani do të jemi në gjendje t’iu bëj një ofertë miqësore pronarëve të Interit për blerjen e klubit”.
Ziliacus tha se ishte gati të hynte edhe si aksioner minoritar në klubin zikaltër dhe foli ndër të tjera për stadiumin: “San Siro është një institucion kulturor. Për mendimin tim duhet të rinovohet, për ta bërë edhe më të bukur. Nëse kjo nuk do të ishte e mundur, atëherë të ndërtohet një stadium i ri dhe modern”.
Po kush është Thomas Zilliacus? Lindi në Helsinki, Finlandë, në vitin 1956. Stërgjyshi i tij ishte senatori Henrik Wilhelm Johan Zilliacus, i cili më 1866 u zgjodh Kryetar i Bashkisë së Helsinkit, ndërsa stërnipi i tij ishte Konni Zilliacus, themeluesi i Partisë së Rezistencës Aktiviste Finlandeze, e cila kërkonte të çlironte Finlandën nga Rusia.
Xhaxhai i tij i madh, Per Zilliacus, shërbeu si kreu i Akademisë Ushtarake Finlandeze dhe Komandant i Gardës Civile Finlandeze. Pas diplomimit në vitin 1972, Zilliacus u regjistrua në Universitetin e Helsinkit, ku ishte kryeredaktor i gazetës kombëtare studentore “Studentbladet” dhe tri herë u zgjodh kryetar i Unionit Studentor, si dhe në Shkollën Ekonomike Hanken.
Si një futbollist i ri premtues, ai mori pushim nga studimet për një sezon, teksa e kaloi këtë periudhë në akademinë e të rinjve të Fluminense, në Rio de Janeiro. Që atje ka mbetur e zjarrtë dëshira për futbollin.