Festojnë “8 Marsin” por diskriminohen për gjithë vitin


Thuajse çdo grua merr urime dhe dhurata për 8 Mars. Pjesa më e madhe e tyre, në ditët e tjera të vitit përjetojnë padrejtësi, diskriminim, paragjykime, madje, në shumë raste, edhe dhunë. Aktivistet dhe ata që zakonisht janë më të zëshme për barazinë gjinore thonë se shoqëria jonë ka kaluar nga sistemi patriarkal dhe ka hyrë në një fazë më të avancuar por që akoma lë shumë për të dëshiruar, në shumë sfera të shoqërisë.

“Ne, tani i kemi gratë të kyçura në parti politike por kjo për mua nuk mjafton sepse ende nuk e kemi krijuar një “lidership” shqiptar. Por gratë e përfaqësuara brenda politikës po sillen sikurse burrat e asaj partie sepse në asnjë parti politike nuk shihet fryma e femrës brenda asaj partie. Prandaj unë kam prit që femrat tona në politikë të japin kontributin e tyre më të madh, ta humanizojnë shoqërinë, të merren drejtpërdrejt me problemet e tyre, jo vetëm të gruas po edhe të vajzave të reja edhe të fëmijëve tanë që ta ndërtojnë një ardhmëri pak më të lumtur” – tha Diana Toska, veprimtare e të drejtave të njeriut.

“Problemet janë të shumta, të natyrave të shumta, nuk e di nëse do të kisha kohë që tani t’i numëroj këto por gjithsesi duhet dëgjuar zëri i femrës, duhet gjetur edhe faji tek vetja, jo duke e lënë fajin te ana tjetër e kundërt, te mashkulli, sepse çdo gjë nis nga një femër e cila rigjeneron jetë dhe e cila edukon breza për të mundur që të përkrah femra”– u shpreh Teuta Ajdini, aktore.

Gruaja sot, siç thonë bashkëbisedueset, ka pengesa edhe në fushën e biznesit. Rrallë herë ajo është pronare. Sipas afaristes Gëzime Fejzi, ndryshimet duhet nisur nga shtëpia e saj për të vazhduar në institucionet shtetërore përkatëse.

“Gratë kanë shumë pengesa në këtë fushë për shkak se e dimë të gjithë se gruaja nuk posedon asgjë mbi vete, mandej për të marrë kredi ose diçka për të filluar biznes përsëri i duhet ndonjë përkrahje apo të ketë ndonjë pronësi. Sidomos nga ana e shtetit shumë pak i përkrahin dhe shumë pak i financojnë këto gra që duan të nisin ndonjë biznes apo e kanë nisur biznesin e tyre” – deklaroi Gëzime Fejzi, afariste.

“Një nga problemet që kam has më shumë ta shoh kohëve të fundit është pavarësia. Nga vetë fakti që pritet nga dikush t’ia jap lirinë, kjo për mua është shumë shqetësuese. Ka ndodh që në tubime, në tubime jopolitike, në momente shumë të ndryshme ka ndodhur që flasin disa njerëz ndërsa kur fillon të flasë një grua, të gjithë flasin, nuk pushon muhabeti, vazhdon sikur nuk po flet askush” – theksoi Agona Çupi, dirigjente.

Gjatë viteve të fundit, festa e gruas thuajse është komercializuar plotësisht. Të gjitha kafenetë e sallonet e dasmave janë të rezervuara për këtë ditë, me muzikë e ushqime nga më të ndryshmet. Një shekull më herët gratë kërkonin të gëzojnë të drejta të barabarta, kushte më të mira të punës si dhe të drejtën e votës. Kjo ditë u formalizua në Kombet e Bashkuara në vitin 1977, duke ftuar secilin shtet në botë për të shënuar një ditë të tillë, për t’i avancuar të drejtat e grave si dhe pozitën e tyre në shoqëri.