Franca sot po kremton Ditën e Bastijës, e njohur si Festë Kombëtare për shtetin. Për çdo 14 korrik, në gjitha qytetet e Francës por edhe më tej, organizohen parada të ndryshme dhe hidhen fishekzjarre. Mijëra njerëz, shumë prej tyre turistë, këtë vit ishin rreshtuar në Champs-Elysees, për të parë paradën ku morën pjesë 4,290 ushtarë, 220 automjete, 250 kuaj, 64 avioni radioaktivë dhe 30 helikopterë. Tema e festimeve të këtij viti ishte “vëllazëria ushtarake” dhe në të morën pjesë forca të xhandarmërisë spanjolle, makina të blinduara belge dhe një avion ushtarak gjerman Airbus i tipit A400M.
Por, për popullin francez dhe gjithë botën, i paharrueshëm do të mbetet 14 korriku i vitit 2016, ditë e cila ishte shndërruar në tragjedi për këtë shtet, pasi në qytetin e Nicës kishte ndodhur një sulm terrorist që la të vdekur mbi 80 persona e qindra të tjerë të plagosur, raporton Periskopi.
Incidenti ndodhi në bulevardin buzë detit “Promenade des Anglais”, pikërisht në momentin kur po realizohej një shfaqje me fishekzjarre e organizuar nga bashkia me rastin e Ditës së Bastijës.
Momentin e sulmit dëshmitaret e përshkruan si një moment paniku. “‘Vraponi, vraponi është një sulm’, kjo ishte e vetmja fjalë që dëgjohej”,“Ka shumë gjak nëpër rrugë -tha një tjetër dëshmitare- e vetmja gjë që shohim janë njerëz të dëmtuar rëndë e të shtrirë për toke”.
Imazhet e rënda ishin përhapur me shpejtësi nëpër rrjete sociale. Thuajse e gjithë Nica ishte blinduar nga forca të shumta sigurie për t’i garantuar qetësi banorëve të zonës. Ndërkohë që spitalet e qytetit jugor kishin hapur dyert për personat e plagosur.
Terroristi i vrarë nga policia ishte 31 vjeçari Mohamed Lahouaiej Bouhlel, një rezident tunizian. Përpara se dorasi të vritej nga policia, ai kishte qëlluar disa herë me pistoletë. Brenda mjetit të tij ishin gjendur dokumente indentiteti si dhe një granatë dore e disa pushkë, për të cilat raportohej se ishin të rreme. Autori i ngjarjes ishte emër i njohur për policinë për shkelje të ligjit, por nuk kishte tërhequr asnjëherë vëmendjen e shërbimeve të inteligjencës.
Në çdo 14 korrik, Franca kremton me një paradë simbolike dhe unike festën e saj të pavarësisë. Sivjet, Dita e Bastijës u festua edhe në Kosovë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë pjesë në pritjen e Ambasadës së Francës në Kosovë, duke thënë se kjo është ditë e shënuar për Francën dhe tërë botën liridashëse.
Edhe kryeministri Ramush Haradinaj uroi shtetin mik për festën e tyre. Përmes një postimi në Facebook ka shkruar se ‘Republika franceze është sinonim i lindjes së lirisë, barazisë, vëllazërisë, trinomit që është përqafuar gjerësisht në botën demokratike’./Periskopi