Fenomen shqetësues në shkollat e mesme: Çdo i treti nxënës viktimë e bullizmit

Psikologia Destani thotë se bullizimi nëpër shkolla është shumë i përhapur dhe se është bërë normalitet që nuk paraqitet nga nxënësit. Pedagogu Dervodeli thotë se fëmijët që bullizojnë zakonisht vijnë nga familje që kanë probleme të brendshme ose bëhet fjalë për nxënës me probleme psikike, të cilët ndjejnë kënaqësi duke bullizuar të tjerët. Zëvendës Avokatja e Popullit,  Vaska Bajramoska, thotë se nxënësit nuk e dinë ku t’i raportojnë rastet e bullizmit. 

Shkruan: Gentuar Ismaili
Edhe pse shkolla nga shoqëria perceptohet si institucion kryesor që duhet t’i mësojë nxënësit se si të respektohen mes vete, aty ndodh të ketë edhe dukuri të pakëndshme. Shembull për këtë është edhe anketa e realizuar me shkollat e mesme nga zyra e Avokatit të Popullit, ku rezulton se çdo i treti nxënës është viktimë e bullizimit dhe nuk e raporton atë.

Arsyeja se pse nuk e raportojnë bullizmin, sipas ekspertëve, është se nxënësit nuk shpresojnë se sholla mund të bëjë diçka më shumë që të parandalojë këtë dukuri. Nxënësit duket se e shohin këtë problematikë tashmë si një normë nëpër shkollat tona.

Psikologia Edlira Destani thotë se vetë shtimi i numrit të këtyre rasteve është shkak që nxënësit mos ta paraqesin bulizimin.

“Kur bëhet fjalë për nxënës të bullizuar në numër kaq të lartë, bëhet fjalë për një fenomen shqetësues jo vetëm nga ana psikologjike por edhe sociale. Për këtë arsye gjithmonë shkaqet e mosparaqitjes së veprimeve kanë arsye të shumëfishtë. Edhe vetë shtimi i numrit është shkak që të mosparaqitet bullizmi, pasi mendohet si një veprim i normalizuar në shumë ambiente, përfshirë edhe shkollën. Nëse shumë shokë dhe shoqe bullizohen dhe nuk e paraqesin publikisht, të njëjtin veprim mund ta bëjë edhe i bullizuari i rradhës”,u shpreh psikologia Destani.

Pedagogu Gazmend Dervodeli ndan mendimin se shkaqet se përse ndodh ky fenomen janë të shumta, por kryesorja është se fëmijët e këtillë kanë probleme brenda në familje.

“Shkaqet që ndodh bullizmi në shkolla janë të shumta, por më të shpeshta janë rastet kur nxënësi ka konflikte brenda familjeve ose janë tolerant ndaj dhunës duke i shtyrë fëmijët e tyre të bëjnë më të fortin. Disa të tjerë që kanë probleme dhe deformime psikologjike që duke bullizuar të tjerët, ndjejnë knaqësi. Shërbimi profesional duhet të marrë masa për parandalimin e tyre dhe të nxisin frymën e bashkimit dhe barazimit ndërmjet nxënësve dhe ta largojnë përçarjen dhe bullizimin. Shërbimi profesional duhet të bashkëpunojë me prindërit për parandalimin e tyre. Porosia ime si bashkëpunëtor profesional është që mos t’i bullizojnë të tjerët sepse së bashku mund t’i plotësojmë mangësitë tona dhe pavarësisht që secili jemi të ndryshëm, ne jemi të barabartë”, u shpreh petagogu Dervodeli.

Zëvendës Avokatja e Popullit, Vaska Bajramoska, është shprehur se në shumicën e rasteve dhunën e lajmërojnë prindërit, pasi adoleshentët e moshës 16 vjeçare nuk kanë besim tek institucionet dhe frikësohen se do të jenë edhe më shumë pre e malltretimit psiqik.

“Një numër i madh i nxënësve edhe nuk dinë se ku dhe kur duhet ta paraqesin bullizmin. Hulumtimi tregoi se shkolla është institucioni kryesor ku duhet ta paraqesin atë, ndërsa për fat të keq rreth 70% e përgjigjeve të nxënësve tregon se janë pjesë e bullizmit ose shkelejes së ndonjë të drejte tjetër” deklaroi Bajramovska.

Ndryshe, sipas Zyres së Avokatit të Popullit në RMV, mungon staf profesonal nëpër shkollat e vendit tonë, poashtu mungon edhe staf për realizimin e mësimit inkluziv.