Fëmijët spanjollë dalin jashtë për herë të parë pas gjashtë javëve

Pas gjashtë javëve në izolim, fëmijët spanjollë më në fund kanë mundur të dalin nga shtëpitë dhe banesat për të bërë aktivitete fizike ose për të luajtur.

Ky vendim erdhi në kohën kur Spanja, një prej shteteve më të prekura në botë nga Covid-19, e regjistroi një prej shifrave më të vogla të rasteve të reja të vdekjeve në më shumë se një muaj, shkruan “Reuters”.

Fëmijë me maska u panë edhe në kryeqytetin spanjoll, Madrid. Fëmijët nën moshën 14-vjeçare tashmë patën të drejtë që të dalin jashtë për herë të parë që nga 14 marsi, kur qeveria mori vendim për vendosjen e masave të shumta kufizuese.

Lucia Ibanez, nëntë vjeçe, që kishte dalë për të ecur me nënën, tha se i kanë munguar rrugët, shkolla dhe parku. “Kurrë nuk kam menduar se do të më mungojë shkolla, por vërtet më mungon”, tha ajo.

Fëmijët do të kenë të drejtë të qëndrojnë jashtë për një orë, nën shoqërimin e të rriturve, pa u larguar më shumë se një kilometër nga shtëpia.