Fëmijët në rrezik kur shkojnë në shkollë

Prindërit e fëmijëve të shkollës fillore Goce Dellçev, janë të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve të tyre gjatë shkuarjes në shkollë. Kaosi në komunikacion, qentë endacak, kontejnerë para hyrjes së shkollës, sipas prindërve janë probleme që duhet të zgjidhen nga më shumë institucione, siç janë komuna e Tetovës, Ministria e Arsimit dhe Shkencës si dhe Policia. Prindërit thonë se ka patur edhe aksidente ku kanë pësuar fëmijët e tyre, ndërsa pasigurinë e rrit edhe prania e qenve endacak. Ata kërkesat e tyre ua kanë adresuar edhe drejtorisë së shkollës dhe policisë. Ndër kërkesat kryesore është që kjo rrugë të shpallet njëkahshe ose të mbyllet për qarkullim gjatë kohës kur fëmijët shkojnë dhe kthehen nga shkolla.

“Ne si prindër të nxënësve në shkollën fillore Goce Dellçev në Tetovë jemi këtu për të t`ua bërë me dije si institucioneve poashtu dhe drejtorisë së shkollës, NPK-së, Policisë, sepse kanë ndodhur shumë ngjarje të pakëndshme për fëmijët tanë, sidomos ka të bëjë me kaosin në komunikacion, sepse fëmijët tanë nuk kanë se ku të kalojnë, nuk ka trotuar. Para disa kohëve një nxënësve është ak*sidentuar nga kaosi që mbizotëron në këtë rrugë. Poashtu para shkollës ka edhe disa kontejnerë për mbeturina dhe grumbullohen qen endacak dhe prej këtyre qenve fëmijët nuk mund të shkojnë në shkollë. Këta kërkesa i janë shpalosur edhe drejtoreshës së shkollës. Ajo ka bërë kërkesa në shumë institucione por deri më tani nuk është ndërmarrë asgjë. Do të bëjmë kërkesë deri Ministria e Arsimit, NPK-ja dhe policia që kjo rrugë të jetë njëkahshe dhe kur fëmijët shkojnë dhe kthehen nga shkolla, kjo rrugë të jetë e mbyllur për komunikacion. Poashtu të mbyllet për qarkullim kjo rrugë për automjete të rënda. Shkolla para gjashtë muajve ka bërë kërkesë dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje”, thotë Darko Petrovski.

Nga ana tjetër, Sektori për Punë të Brendshme Tetovë-Stacioni Policor për Siguri në Komunikacionin Rrugor Tetovë, përveç aktiviteteve të tjera, patrullon çdo ditë në qasjet e komunikacionit në afërsi të shkollës fillore “Goce Dellçev” në Tetovë, si dhe në hapësirën rreth objektit të shkollës, me qëllim të sigurisë më të madhe në trafik, për nxënësit, mësuesit dhe të gjithë personat e tjerë që punojnë apo lëvizin në këtë hapësirë ​​publike.

“Prezenca e policisë do të forcohet më tej në ditët në vijim, për të konstatuar apo sanksionuar probleme të mundshme të natyrës dhe karakterit të sigurisë. Sa i përket ndryshimeve në regjimin e komunikacionit para shkollës, ndryshimet e mundshme janë në kompetencë të drejtpërdrejtë të vetëqeverisjes lokale të Tetovës, por pas pëlqimit të marrë paraprakisht për to nga SPB Tetovë. Nëse ndryshimet propozohen dhe miratohen nga vetëqeverisja lokale, atëherë ato do të duhet të hyn në funksion në mënyrë adekuate me vendosjen e shenjave përkatëse të komunikacionit. Sipas vëzhgimeve të SPB-së Tetovë, përndryshe problem vendimtar për kushtet në të cilat reagojnë qytetarët, për të cilin ju potenconi, është infrastruktura joadekuate në atë pjesë të Tetovës, e cila nuk është e dimensionuar dhe nuk përgjigjet për frekuencën momentale dhe në të ardhmen të automjeteve dhe njerëzve”, deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.

Nga komuna e Tetovës thonë se bashkërisht me policinë do të analizojnë mundësinë e riorganizimit të regjimit të komunikacionit në këtë rrugë. “Siguria në komunikacion nuk është në kompetencë të Komunës së Tetovës, për këtë çështje përgjegjësia bie drejtpërdrejtë tek pjesëmarrësi në komunikacion dhe tek SPB Tetovë, pasi nga ana e komunës shenjat e komunikacionit të cilat duhet dhe obligohen ligjërisht të respektohen nga pjesëmarrësit në komunikacion.

Ndërkaq sa i përket mundësisë së vendosjes së lëvizjes njëkahshe të automjeteve në rrugën “Ivo Lola Ribar”, më saktësisht pjesa përballë shkollës fillore “Goce Dellçev”, fillimisht duhet analizuar së bashku me SPB Tetovë, sepse komuna e Tetovës nuk është kompetente dhe nuk mund të vendosë për një gjë të tillë. E njëjta do të shqyrtohet së bashku me organet në SPB Tetovë dhe nëse plotësohen kushtet ligjore për një gjë të tillë do të realizohet”, thonë nga komuna e Tetovës. Prindërit kanë thënë se kërkesat e tyre do ti adresojnë edhe tek këshilli i komunës së Tetovës që të gjendet zgjidhje për problemet e tyre. (koha.mk)