Fejzi Hajdari: “Lamtumirë Rexhail! Të mbetëm borxh, të lamë vetëm!”

Shkruan: Fejzi HAJDARI

Lamtumirë Rexhail!
Të mbetëm borxh, të lamë vetëm dhe s’të ndihmuam të paktën ne qytetarët!
Iku edhe Rexhaili, sikurse dje Shqiponja, pardje Haruni, pak më herët edhe Isa lika. E ne, çfarë bëmë për t’i ndihmuar, asgjë. Po, po, asgjë! Biles as minimumin që duhej e mundeshim ta bëjmë. Për politikën, as që dua ta harxhoj kohë! Turpi e deshtimi i tyre per t’i mbrojtur shqiptaret institucionalisht nga politikat skandaloze te institucioneve, nuk ka fund, fatkeqësisht…

A thua na pengoi neve qytetarëve shqiptarë dikush për t’i shfrytëzuar instrumentet demokratike në formë të presionit, sepse shihej e dihej pak a shumë se Rexhaili u dënua pa ndonjë provë materiale dhe fakte? Këtë e thanë dhe e stërthanë avokatët mbrojtjës por edhe njerëz të profesionit.
A thua na pengoi dikush të protestojmë në mënyrë masive dhe dinjitoze, për të mbrojtur nesër, pasneser edhe gjeneratat e reja nga këto padrejtësi, të cilët shqiptarët nga pot ë njëjtat institucione, po i ndjekin me dekada?

Jo, askush nuk na pengoi, por kishim frikë se po i hidhërojmë ata të qeverisë, ndërkohë që këtyre të fundit, nuk iu hante palla për Rexhaili, dhe jo vetëm për te. Dhe përderisa ne qytetarët shqiptarë heshtnim, gjykatësve dhe prokurorëve u krijonim hapësirë që të marrin vendime gjyqësore skandaloze, konform nevojës dhe interesave të grupeve partiake qeverisëse. Ne e dimë se çfarë gjyqësie dhe shteti i së drejtës vepron në Maqedoninë e Veriut (MV). Për këtë flasin raportet e ndryshme të organizmave relevant ndërkombëtarë me vërejtje serioze permanente kryesisht për gjyësorin dhe skandalet në drejtësinë e MV-së.

Pikërisht ky fakt, do të duhej të ishte stimul dhe nxitje për një revoltë e cila do të manifestohej me anë të protestës për të gjitha rastet e montuara gjyqësore ndaj shqiptarëve, me theks të vecantë ndaj rastit “Alfa”, ku ashiqare shihej montimi klasik i rastit në fjalë dhe mbajtja në vuajtje denimi, në mënyrë të padrejtë e tanimë të ndjerit, për 13 vite me radhë.

Mirëpo as kjo padrejtësi që ashiqare shihej në syprinë, nuk arriti t’I trazojë shqiptarët për të protestuar dhe në këtë formë dhe mënyrë, të paktën për tu solidarizuar me Rexhailin dhe të gjithë të tjerët shqiptarë, që po vuajnë dënim në mënyrë të padrejtë, numri i të cilëve, fatkeqësisht është goxha-goxha.
Me pak fjalë, ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dështuam, kundrejt padrejtësisë së institucioneve të cilat po i kalbin shqiptarët e pafajshëm nëpër burgje.

Të gjithë e dinë se gjyqësori në RMV’së, është i kalbur, i padrejtës dhe i superKorruptuar, por vërtetë nuk po e kuptojë heshtjen e përgjumshme të shqiptarëve, madje-madje edhe atëherë kur iu gjykohen bijtë më të mirë, në mënyrë të padrejtë dhe skandaloze, duke vuajtur dënime drakonike me vite të tëra. Pra, po dëshmojmë se në këtë gjendje ku jemi katandisur sot si Shoqëri Shqiptare, nuk jemi rastësisht! Rrjedhimisht, me heshtjen e absurdit dhe paradosket tjera që po na shoqërojnë, po justifikojmë fatkeqësisht pozitën tonë të vështirë, të cilën sikur po e meritojmë!

Lamtumirë Rexhail!
Pusho i qetë!
Dështuam të gjithë, nuk ditëm dhe deshëm të të ndihmojmë!
Zoti të mëshiroftë! Amin!