Fazliu takoi Spasovskin, koordinojnë aktivitetet e përbashkëta


Ministri për Vetëqeverisje Lokale, Suhejl Fazliu, sot е priti në vizitë ministrin për Punë të Brendshme, Oliver Spasovski, me të cilin biseduan për tema aktuale dhe të sigurisë në vend, luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe zhvillimin e aktiviteteve të koordinuara në interes të vendit dhe qytetarëve
“Ministri Fazliu e njoftoi ministrin Spasovski me aktivitetet aktuale në Ministrinë për vetëqeverisje lokale, me hapat që ndërmerren në drejtim të realizimit të Programit qeveritar dhe luftën kundër dukurive negative të cilat përshkojnë institucionet dhe organet në përgjithësi. Në këtë takim, ndër të tjerat u bisedua edhe për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, si një nga dukuritë e rrezikshme botërore ndaj të cilës nuk është imun asnjë shtet apo vend në botë”, thuhet në njoftimin e MVL-së.
Ministri Fazliu, vazhdon më tej njoftimi, theksoi se siguria e qytetarëve është prioritare në fushëveprimin e ministrisë dhe se të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me parandalimin e dukurive negative përcillen me seriozitetin më të madh duke i dhënë mbështetje të plotë punës dhe Këshillit nacional për luftë kundër ekstremizmit të dhunshëm.
“Ministri Fazliu e njoftoi z. Spasovski edhe me aktivitetet lidhur me Programet për bashkëpunim ndërkufitarë dhe shfrytëzimin e IPA fondeve ku rol të rëndësishëm ka edhe Ministria për Punë të Brendshme në drejtim komunikimit dhe qarkullimit më të lehtë të qytetarëve nga të dy anët e kufijve me fqinjët tanë. Fazliu dhe Spasovski gjithashtu biseduan edhe për çështjen e zjarrfikësve në vend, për problemet me të cilët ballafaqohen njësitet për shuarjen e zjarreve, për problemet sistematike të cilat i përcjellin vite e dekada me radhë, ekipimi dhe financimi i tyre si dhe aktivitetet që duhet ti koordinojë në të ardhshmen Ministria për vetëqeverisje lokale”. (koha.mk)