Eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive të Shteteve të Bashkuara, Anthony Fauci, ka thënë se një ngjarje e mbajtur në Shtëpinë e Bardhë më 26 shtator ishte një ngjarje ku ndodhi “super-shpërndarja” e koronavirusit, që dyshohet të ketë infektuar njerëz të shumtë, përfshirë presidentin Donald Trump.
“Mendoj se të dhënat flasin vetë. Ne patëm një ngjarje në Shtëpinë e Bardhë”, tha Fauci gjatë një interviste me CBS News Radio. “Dhe ishte në një situatë ku njerëzit nuk kishin veshur maska, kështu që të dhënat flasin vetë”.
Rreth 30 persona “kapën” virusin pas ngjarjes së Shtëpisë së Bardhë, përfshirë presidentin Trump, Zonjën e Parë Melania Trump, këshilltarin e lartë Hope Hicks dhe sekretaren e shtypit Kayleigh McEnany.
Fauci, drejtori 79-vjeçar i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Shtetet e Bashkuara, ka dalë si një zë i besueshëm ndërsa vendi po përballet me numrin më të lartë të rasteve me coronavirus në botë.
Ai shpesh ishte parë duke korrigjuar Trump ndërsa kriza u përshkallëzua.
Ndërkohë, Trump, i cili qëndroi i mbyllur në një spital dhe Shtëpinë e Bardhë për 10 ditë, do të kthehet në ngjarjet publike dhe fushatën e tij zgjedhore presidenciale të shtunën, tha mjeku i tij.
Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, Dr Sean Conley tha se Trump kishte “reaguar jashtëzakonisht mirë ndaj trajtimit”.