Fatmir Limani dorëzoi kandidaturën për kryetar të Kërçovës

Fatmir Limani, profesor i historisë dhe ish zëvendësdrejtor i EMV-së, sot e dorëzoi kandidaturën si kandidat i pavarur për kryetar komune të Komunës së Kërçovës. Kandidati për kryetar komune Limani mblodhi gjithsej 420 nënshkrime që është më shumë se 350 të domosdoshme, konfirmuan nga Reparti Rajonal i KSHZ-së në Kërçovë. Në të njëjtën kohë në këtë qytet ishte regjistruar edhe lista e parë e pavarur e këshilltarëve me bartësin e listës Agim Sadiku.

“Për zgjedhjet e ardhshme lokale sot e kemi kandidimin e Fatmir Limanit si kandidat i pavarur për kryetar komune të Komunës së Kërçovës. Ai e mblodhi minimumin e domosdoshëm prej 350 nënshkrimeve të qytetarëve dhe sot zyrtarisht e dorëzoi kandidimin e tij. Gjatë ditës e ka dorëzuar edhe listën e parë të pavarur të këshilltarëve për të cilën nënshkrimin e tyre e dhanë 372 qytetarë”, tha Mlladen Vançoski, nga Reparti Rajonal i KSHZ-së në Kërçovë.

Vançoski sqaroi se qytetarët do të mund t’i dorëzojnë listat e pavarura për mbledhje të nënshkrimeve për kryetar të komunës ose për këshill në periudhën nga data 16 deri më 30 gusht.
Ai theksoi se nga data 21 e këtij muaji deri më 9 shtator, qytetarët mund të bëjnë kontroll edhe në Listën Zgjedhore. Ditëve të fundit shumë qytetarë e kanë vizituar Repartin Rajonal të KSHZ-së në Kërçovë.