Kryetari i komunës së Kërçovës në Maqedoninë e Veriut, Fatmir Dehari ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Ballkan” të Linda Karadakut në “ABC” për situatën politike në Shkup dhe ndikimin që ka në rajon. Pasi kaloi sprovën e numrave, Dehari u shpreh se tashmë qeveria e Maqedonisë është e fokusuar te hapja e negociatave me BE-në.
“Në Maqedoni kemi një stabilitet pasi janë siguruar numrat në parlament. Do të kemi edhe një qeveri të re politike që do të vazhdojë mandatin. Ajo qeveri ka prioritetet dhe sfidat e saj për të realizuar, qoftë ato që janë aspirata drejt BE-së apo që kanë premtuar përpara qytetarëve.
Vazhdojmë të jemi në një lloj tranzicioni akoma politik, por përsëri për t’u ndalur te fakti, që brenda rajonit kemi një lloj sigurie, stabiliteti politik. Shqipëria dhe Maqedonia janë në hap drejt realizimit të një ëndrre, hapjes së bisedimeve. Është një shpresë që mund të ndodhë shumë shpejt. Rrethanat flasin që ka një moment të ri në Bullgari, jashtë asaj që vazhdon presidenti Radev” tha ai.
Por si e komenton Fatmir Dehari i zgjedhur nga BDI-ja në Kërçovë diversionin e VMRO-DPMNE-së që propozoi Afrim Gashin e “Alternativës” kryeministër të Maqedonisë së Veriut, që sipas marrëveshjes do të jetë në krye të qeverisë tre muaj para zgjedhjeve parlamentare? Dehari tha se themelet e kësaj arritje historike i vendosi BDI dhe në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të fundit i takon kësaj force të drejtuar nga Ali Ahmeti për të propozuar emrin.
“Nuk e kam dëgjuar. E kam lexuar si lajm. Partia opozitare përpiqet që të krijojë situata të reja. Kryeministri shqiptar është i BDI-së, tre muajt e fundit të qeverisjes. Në garën për zgjedhjet parlamentare të 2018-ës dhe kemi një marrëveshje konkrete që në tre mujorin e fundit kryeministri të jetë një i propozuar nga BDI-ja. Kjo thyen edhe disa tabu të tjera në Maqedoni.
Disa vite më parë ishte ëndërr. Tani gjërat kanë ndryshuar. Propozimet mirë që janë dhe diskutohen. Pavarësisht si e ka thënë ajo diskutohet, kryeministri shqiptar si mundësi. Sigurisht do të kemi zgjedhje parlamentare ku VMRO-DPMNE-së do i jepet një mundësi të propozojnë një kandidat shqiptar. Mirë që kanë ndryshuar gjërat, por rrënjët janë të BDI-së me udhëheqjen brilante me vizion” tha ai.
Me largimin e Zoran Zaevit sa jetëgjatë do të jetë qeveria e drejtuar nga kryeministri i ri i Maqedonisë Dimitar Kovaçevski? “Shqiptarët janë faktor stabiliteti. BDI dëshmoi pjekuri politike, që prej një kohe të gjatë, prej 20 vitesh është në institucionet e shtetit” tha ai.