Në kushte kur dominon fushata e mbështetësve të referendumit, ndërsa partia kryesore e opozitare VMRO-DPMNE vendimin se si duhet të veprojnë në lidhje me referendumin ua la qytetarëve, sipas analistëve ka mundësi të realizohet skenari për rezultat të suksesshëm të referendumit, si në aspekt të pragut të referendumit ashtu edhe në aspekt të numrit të qytetarëve që do ta mbështesin referendumin.
Analistët vlerësojnë se në “matematikat” në lidhje me referendumin, votat e elektoratit shqiptar do të jenë të rëndësishme.
Pozita e opozitë
Partitë duhet të kritikojnë, por gjithashtu edhe të ofrojnë zgjidhje. Fakti që partia kryesore e opozitës, VMRO-DPMNE, ua la qytetarëve vetë të vendosin se si do të veprojnë më 30 shtator, është papërgjegjësi politike e cila do të sjellë edhe përgjegjësi, konsideron analisti Marko Troshanovski nga Instituti për demokraci – “Societas Civilis”.
“Mungesa e qëndrimit të VMRO-së ndoshta është zgjidhje praktike në afat të shkurtër, shikuar nga prizmi i interesave partiake, sepse, duke pasur parasysh ndarjet në parti, çdo zgjedhje konkrete është humbëse në masë të caktuar. Kështu, mungesa e qëndrimit, nëse jo diçka tjetër, të paktën do t’i amortizojë presionet e fraksioneve të brendshme. Megjithatë, mungesa e qëndrimit, shikuar nga prizmi i rolit që duhet ta ketë një parti politike, por edhe opozitare, në sistemin demokratik, është qëndrim i papërgjegjshëm. Partitë duhet të kritikojnë, por edhe të ofrojnë zgjidhje, t’i orientojnë qytetarët dhe t’u ofrojnë zgjidhje për problemet e tyre. Në fakt, për këtë edhe ekzistojnë” – thotë Troshanovski.
Në kulmin e fushatës së referendumit, përfaqësuesit e huaj, paralelisht me takimet me kreun shtetëror, takohen edhe me liderin e opozitës, Hristijan Mickoski, me ç’rast nga kjo parti, pas të gjitha takimeve e riafirmojnë qëndrimin se VMRO-DPMNE-ja e mbështet integrimin euro-atlantik të Maqedonisë, por edhe se partia nuk e pranon Marrëveshjen me Greqinë, duke e vlerësuar atë si të dëmshme dhe kapitulluese.
Pozita e “bojkotit heshtur” që e demonstron udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së është e pritshme në një situatë kur partia përballet me fraksionizëm dhe një pjesë e anëtarësisë në ditën e referendumit do të tregojë se është më e pjekur se udhëheqësit, thotë Sulejman Rushiti, ish-politikan.
“Partia kryesore e opozitës është pa qëndrim konkret, para së gjithash sa i përket anëtarësisë së saj. A demonstroi VMRO-DPMNE-ja konstruktivitet gjatë gjithë procesit? Mendoj se VMRO DPMNE-ja u gjet në një situatë ku anëtarësia dhe votuesit janë më të vetëdijshëm se sa udhëheqësia dhe për këtë arsye nuk kanë guxim të dalin kundër për shkak të PR-it të politikës ditore. Mendoj se VMRO-DPMNE-ja do të ketë pësoja në aspekt të elektoratit nëse nuk tregon konstruktivitet” – thotë Rushiti.
Qëndrim të ngjashëm ka edhe eksperti për marrëdhënie me publikun – PR, Goce Paçemski.
“Nga aspekti i komunikimeve, sjellja e partisë kryesore të opozitës pikërisht për çështjen e referendumit mund të vërehej menjëherë pas nënshkrimit të Marrëveshjes me Greqinë. Ata, sipas vlerësimit tim, shumë shpejt marrëveshjen e vlerësuan si të dëmshme, duke e vënë veten në pozitë që ta kritikojnë edhe referendumin. Kjo krijoi konfuzion te një pjese e madhe e qytetarëve, duke pasur parasysh faktin se pikërisht VMRO-DPMNE-ja në të kaluarën insistonte që qytetarët të jenë ata që do ta kenë fjalën e fundit. Në opinion u krijua përshtypja se edhe brenda partisë ka dy struktura krejtësisht të kundërta që kanë strategji të ndryshme se si partia duhet të sillet dhe të komunikojë me publikun në lidhje me referendumin.
Kuptohet, gjatë gjithë kësaj periudhe, partia ishte nën një “presion” të madh nga komuniteti ndërkombëtar, i cili edhe publikisht i bënte thirrje partisë më të madhe opozitare që të mos e lidh referendumin me betejën politike për të ardhur në pushtet. Me sa duket “presioni” i tillë kishte një ndikim të rëndësishëm mbi udhëheqësinë aktuale të VMRO-DPMNE-së, prandaj nuk duhet të jetë çudi vonesa e tyre me komunikimin e qëndrimit në lidhje me referendumin, të cilin shumë njerëz e interpretojnë edhe si një dozë konstruktiviteti në gjithë procesin, veçanërisht për shkak pritjeve të disa grupeve brenda partisë, se ajo duhet t’u bashkangjitet atyre që bëjnë thirrje për bojkotim të referendumit” – tha Paçemski.
Mungesa e qëndrimit konkret, sipas analistit Xhenis Sulimani është tregues se interesat partiake janë vënë në plan të parë, përpara interesave të qytetarëve.
“Edhe mospasja e qëndrimit është qëndrim. Edhe ky akt jep një pasqyrë për pozicionimin për një çështje të caktuar. Domethënë edhe qëndrimi i këtillë i VMRO-DPMNE-së është shembull për atë se te partitë qytetari asnjëherë nuk është në plan të parë, edhe pse lideri i partisë iu drejtua popullit që të vendosë vetë se si do të veprojë në referendum. Do ta vlerësoja një qëndrim të ngjashëm, sikur VMRO-DPMNE-ja në një proces zgjedhor të dilte dhe të thoshte, qytetarë, votoni sipas pikëpamjeve personale, nuk keni nevojë për fushatë” – shpjegon Sulimani për “Portalbin”.
Rezultati i referendumit – Maqedonia në udhëkryq historik…
Në “matematikat” për referendumin edhe për ta arritur pragun e referendumit edhe për të siguruar mbështetje, të rëndësishme do të jenë votat e elektoratit shqiptar – konsiderojnë analistët.
“Elektorati shqiptar është i rëndësishëm për të gjitha proceset në vendin tonë, normalisht edhe për këtë, unë do të thosha moment historik për vendin tonë. Nëse gjykohet sipas anketave të deritanishme të publikuara të mendimit publik, pikërisht votuesit shqiptarë në Maqedoni, në pjesën më të madhe, sipas të gjitha gjasave do të jenë edhe vendimtarë për arritjen e pragut të lartë të nevojshëm për suksesin e referendumit. Disponimin e këtillë të elektoratit shqiptar në vend kuptohet se do ta shfrytëzojnë partitë, veçanërisht opozita, me qëllim që t’i avancojnë pozitat e tyre në ciklet e ardhshme zgjedhore” – thotë Paçemski.
Maqedonia padyshim gjendet në udhëkryq historik, referendumi i suksesshëm do të tregojë se jemi një demokraci e pjekur, një vend që është i gatshëm për t’u reformuar dhe të shkojë përpara – thotë Sulimani dhe shton:
“Pres fitore të demokracisë. Referendumi i suksesshëm do të thotë se Maqedonia është një shtet modern, i gatshëm për aleanca të mëdha politike, i gatshëm për marrëveshje që asocojnë me paqen, i gatshëm për marrëdhënie dypalëshe dhe shumëpalëshe, si në rajon ashtu edhe më gjerë.”
Në kushte kur dominon fushata për mbështetjen e referendumit, ndërsa partia kryesore e opozitare i këshillon qytetarët vetë të vendosin se si do të veprojnë në ditën e referendumit, ka mundësi të realizohet skenari për rezultat të suksesshëm të referendumit, si në aspekt të arritjes së pragut të referendumit edhe në aspekt të numrit të qytetarëve që do ta mbështesin referendumin – analizojnë njohësit e rrethanave.
“Hulumtimet tona tregojnë se disponimi momental i elektoratit për të votuar në referendum është ndërmjet 43-49%. E gjithë kjo e bën situatën shumë të paparashikueshme në kontekstin e arritjes së pragut të referendumit, si kriter për suksesin e referendumit. Megjithatë, me këtë fushatë të këtillë të çekuilibruar, gjegjësisht me prani dominuese të mesazheve për të votuar, ka mundësi që pragu të arrihet. Kjo është mënyra më e mirë për të ecur më tej, pavarësisht nga rezultati. Në të kundërtën, vazhdimi i procesit pa prag të realizuar do të jetë bazë për kontestime të reja të vullnetit, për antagonizma etnike, nacionalizma të reja, etj. Vlen të theksohet se marrëveshja nuk e garanton ardhmërinë evropiane të Maqedonisë, por e bën atë më shumë më të mundshme se çdo alternativë tjetër, dhe ajo që është shumë e rëndësishme, i mundëson BE-së mekanizma konkrete për mentorimin e proceseve reformuese në Maqedoni, për të cilat ne si shoqëri nuk treguam integritet të mjaftueshëm në të kaluarën, por edhe tani”- thotë Troshanoski nga Instituti për demokraci “Societas Civilis”./PC