Familjarët e të djegurve në autobusin “Besa Trans” kërkojnë mijëra euro dëmshpërblim (VIDEO)


Dhjetë qytetarë nga Maqedonia e Veriut, familjarët e të cilëve humbën jetën në aksidentin në autostradën Struma në Bullgari në nëntor të këtij viti kërkojnë 750 mijë euro dëmshpërblim. Kërkesa iu dorëzua Agjencisë së Infrastrukturës Rrugore dhe Shoqatës Bullgare të Siguruesve të Automobilave. Në aksident humbën jetën 46 persona.

Për shkak të pretendimeve materiale të personave të përfaqësuar nga avokati Nikolaj Dimitrov, të enjten është bërë kontroll në vendin e aksidentit. Për ta arritur këtë, Dimitrov ngriti një padi në gjykatën e qarkut në Pernik. Arsyeja e ri kontrollit është se sipas konkluzionit të hetuesve, fajtori i vetëm për aksidentin është drejtuesi i mjetit. Ai po drejtonte me shpejtësi “jo në përputhje me kushtet e rrugës”. Avokati Dimitrov nuk pajtohet, ai beson se ka ndikuar edhe gjendja e rrugës.

Ekspertët ekzaminojnë asfaltin duke marrë mostra prej tij. Ata kanë kontrolluar edhe gjendjen e gardhit mbrojtës. Një tjetër gjë që ata do të shqyrtojnë janë shenjat në sipërfaqen e rrugës dhe nëse ajo është e dukshme gjatë natës. Në veçanti do të kontrollohet gjendja e sinjalistikës rrugore dhe nëse ato mund të fshihen nga pemët dhe nëse janë vendosur në vendet e duhura.

Hetimi për rastin nuk ka përfunduar. I është besuar Shërbimit Hetimor Kombëtar. Konkluzionet fillestare janë se fajin e ka shoferi. Ai po lëvizte me shpejtësi të madhe dhe pas përplasjes autobusi ka marrë flakë nga një shkëndijë. /SHENJA/