Familjarët e Erdgys Arrazit: Nuk ja falim nuses që i mori jetën fëmijëve dhe vetes

Familjarët e Erdgys Arrazit, 31-vjeçarit të arrestuar për dhunë ndaj bashkëshortes dhe 3 fëmijëve, si dhe për shkaktim të vetëvrasjes së tyre, janë shprehur se janë të shokuar dhe të lënduar për rastin tragjik. Teksa kanë preferuar të mos japin një prononcim publik për kamerat, ata kanë thënë se nuk ia falin nuses (Alma Arrazit) vendimin fatal që ka ndërmarrë duke i marrë jetën vetes dhe 3 fëmijëve.

Korrespondentja e Klan News, Emi Kalaja ka mësuar se ata pretendojnë se Erdgysi nuk i ka keqtrajtuar asnjëherë se punonte në një dyqan celularësh me qëllim që të ju siguronte fëmijëve të tyre një arsimim në shkolla private. Sipas familjarëve të Erdgys Arrazit, çifti kohët e fundit kanë patur debate dhe Alma merrte ilaçe në ambulatorin e lagjes për gjendje të rënduar emocionale.

“Jemi të lëndur dhe shokuar, nuk ia falim nuses vendimin fatal që ka ndërmarrë duke i marrë jetën vetes dhe tre fëmijëve. Erdgysi i kishte pikë të dobët fëmijët, ai nuk i ka keqtrajtuar asnjëherë. Punonte gjithë ditën në dyqan celularësh për t’i dërguar në shkolla private. Çifti kohët e fundit kanë patur debate dhe Alma merrte ilaçe në ambulatorin e lagjes për gjendje të rënduar emocionale, por këtë vendim as nuk mund ta imagjinonim.”

Ndërkohë, Policia e Shkodrës ka sekuestruar kamerat e sigurisë së lokalit dhe bizneseve të tjera në afërsi të urës së vjetër të Bunës për të parë lëvizjet e nënës me 3 fëmijët që u mbyten mbrëmjen e të shtunës. Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj ka mësuar se nga këqyrja e kamerave të sigurisë nuk shfaqet momenti kur janë hedhur në lum, por është fiksuar momenti kur po pinte kafe në lokal.

Aty gruaja me 3 fëmijët kanë qenë më gruan e vëllait të Erdgys Arrazit. Ajo ka thënë në polici se Alma thjesht i kishte treguar që kishte bërë fjalë me burrin dhe jo probleme të tjera. Pasi janë ngritur nga kafja nëna me 3 fëmijët janë hedhur në lumë. Aktualisht janë 8 ekipe kërkimi të policisë dhe ushtrisë si dhe banorë të zonës apo peshkatarë vullnetarë./tvklan.al