Familja Ukaj fal gjakun e vëllait të vr*arë 31 vjet më parë

Familja e heroit, Ismet Ukaj nga Strellci i Epërm i Deçanit në ditën kur u zbulua shtatorja e tij ia ka falur gjakun e vëllait të vr*arë 31 vjet më parë familjes Zenelaj. Haki Ukaj vëllai i heroit tha se këtë akt po e bëjnë për të nderuar gjithë popullin shqiptar, Ushtrinë Çlirimtarë të Kosovës dhe të gjithë dëshmorët e rënë.

“Ne familja Ukaj e kemi vendosur sot me ia fal gjakun familjes Zenelaj, gjakun e vëllait që na u është vrarë para 31 viteve, që na u ka mbytur. E kemi bërë këtë gjest në emër të gjithë popullit shqiptar, në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe çdo dëshmori”, tha Ukaj. I pranishëm në këtë ceremoni kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i cili vjen nga kjo anë. Ai faljen e gjakut nga familja Ukaj e cilësoi si një veprim që tregon se populli shqiptar ka vlera dhe mund të ecë përpara.

“Se shqiptarët jemi popull me vlera unik dhe që vërtetë në vete mbanë vlera e dëshmon ky moment, momenti kur nëna Sabrije, nëna e Ismetit heroit të Kosovës dhe gjithë familja e ndërmarrin një vepër kaq fisnike dhe e falin gjakun e djalit të vete nëna Sabrije të djalit të vetë të madh Zekës. E falin për të nderuar këtë tokë atdheun që e kanë ujit shumë njerëz të zot.. kjo na vërteton se shqiptarët kemi me ditë me ec përpara”, tha ai.

Faljen e gjakut nga familja Ukaj akt fisnik e ka konsideruar edhe kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.
“Sot me ngritjen e shtatores së heroit Ismet Ukaj po i nderojmë të gjithë dëshmorët e atdheut …Sot po ashtu bëhet një akt fisnik”, tha ai.
Pas kësaj ceremonie u bë edhe zbulimi i shtatores së heroit, Ismet Ukaj.