Familja Thaçi: Faleminderit për mbështetjen, askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës

Familja e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ka publikuar një falënderim për mbështetjen dhe interesimin e madh të gjerë pas aktakuzës ndaj tij nga nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë.

Deklarata e plotë:

Të nderuar familjarë, miq dhe bashkëkombës, Ditët e fundit ka pasur interesim të jashtëzakonshëm të të afërmve të familjes, miqve dhe qytetarëve për të na vizituar në shtëpinë tonë në Burojë, në shenjë solidarizimi për momentet sfiduese nëpër të cilat po kalojmë.

Jemi thellësisht mirënjohës për interesimin tuaj dhe për solidarizimin me ne si familje. Mirëpo, për shkak të pandemisë e kemi të pamundur që t’ju presim në shtëpinë tonë sipas nderit, traditës së familjes dhe të popullit tonë. Shëndeti juaj është shumë më i rëndësishëm se gjithçka tjetër! Jemi falënderues përjetësisht për mbështetjen që keni treguar për më tepër se dy dekada për birin, babanë dhe vëllain tonë, presidentin Hashim Thaçi, i cili me gjithë qenien e tij ka punuar për lirinë, pavarësinë dhe shtet ndërtimin e Kosovës.

Askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës, e as ta zhbëjë sakrificën e shqiptarëve për liri, pavarësi dhe shtet ndërtim. Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit! Lavdi luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Ju faleminderit nga zemra për mbështetjen e vazhdueshme.

Me respekt, Familja Thaçi Burojë.