Faltore brenda spitalit të Gostivarit, VMRO-DPMNE kundër

Në hapësirat boshe të spitalit të Gostivarit, me kërkesë të të punësuarve që praktikojnë fenë islame ka filluar edhe realizimi i projektit të një faltoreje.
Sipas një njoftimi nga Spitali i Gostivarit, kjo erdhi pas kërkesës së madhe nga një numër i konsiderueshëm i të punësuarve, të cilët sipas njoftimit, janë të përkatësisë islame.

“Ju njoftojmë se pas pastrimit të disa hapësirave që deri më tani kanë qenë të pa shfrytëzuara, sot filloi realizimi i një projekti tepër human, njerëzor dhe tepër i nevojshëm për personelin e spitalit tonë. Pas kërkesës së madhe nga një numër i konsiderueshëm i të punësuarve, në lidhje me hapjen e një faltoreje në institucionin tonë, udhëheqësia e spitalit i shqyrtoi kërkesat dhe duke marrë parasysh numrin e madh të të punësuarve me përkatësi muslimane e pa të arsyeshme që kërkesa e të punësuarve të realizohet”, thuhet në njoftimin e spitalit të Gostivarit.

Sipas njoftimit të spitalit, projekti financohet nga afaristë dhe nga donatorë human derisa në lidhje me këtë ka reaguar deputetja nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanovska, e cila është nga Gostivari.
Ajo thotë se realizimi i faltores për besimtarët muslimanë ka nxitur reagime te banorët krishterë në Gostivar.

“Në Spital punojnë edhe besimtarë krishterë të cilët i luten një Zoti tjetër. A do të thotë kjo se për ata një mundësi e tillë nuk mund të realizohet vetëm për shkak se janë pakicë”, shkruan mes tjerash Stojanovska.
Ajo bën thirrje që edhe të krishterët nga koalicioni “Një Shoqëri për të gjithë” të deklarohen për këtë çështje dhe pyet nëse kjo është prioritet për spitalin.