Fajtor është udhëheqësia e kaluar e Komunës së Tetovës e cila për një lëndë shpronësimi ka dëmtuar qytetarët një million euro

Vet zgjatja me dekada e lëndës, ka elemente të krimit dhe keqpërdorimit, dhe është e patjetërsueshme që, prokurori, të bëj hetimin e lëndës dhe të sqarohet për opinionin. Kështu ka vlerësuar sot eksperti i ligjit, Sejfulla Osmani, lidhur me lëndën ku komuna e Tetovës, për 50 000 euro parcelë që ia mori një banori, deri më tani, ka paguar mbi 1 milion euro, shkruan Alsat.

Osmani ngre dyshimet për keqpërdorim të qëllimshëm nga organet e drejtësisë, të cilat, sipas tij, i kanë bërë favor palës me qëllim marrjen e sa më shumë parave nga komuna.

“Sa kam unë informacion ky rast është stërzgjatur dhe këtu le dyshime se dikush me tendencë ka vonuar vendosjen për çështjen që të shkaktoj harxhime të panevojshme edhe për komunën edhe për gjithë qytetarët e Tetovës. Këtu ka ngecje veprimi, në gjitha institucionet që janë të thirrura, siç është komuna, avokati i shtetit gjykatat e kështu me radhë. E dimë që i vonojnë çështje gjykatat por me sa di unë nga viti 88 deri para dy vitesh kur është bë realizimi e tani kërkohen madje edhe ca harxhime të tjera që i bie se në këtë shtet drejtësia ndonjëherë vonon por kësaj radhe me qëllim, që të merret një kompensim i majmë dhe i pa arsyeshëm”, deklaroi Sejfulla Osmani, profesor.

Osmani thotë se në këtë rast duhet të aktivizohet prokurori që së paku të bëj një para hetim të lëndës me qëllim zbardhjen e vonesave.

“Unë kisha thirr prokurorin që së paku të bëj një para hetuesi dhe ti merr gjitha dokumentet dhe vendimet, por pse jo edhe krimi i organizuar të observoj çështjen sepse fajtorët kanë emër e mbi emër. Është mirë që së paku për të qetësuar qytetarët sepse janë mjete të qytetarëve që të prononcohet prokuroria se ka apo nuk ka vepër në këtë kazus”, tha Sejfulla Osmani, profesor.

Sipas ekspertëve të drejtësisë, faji kryesor në këtë lëndë bie mbi ish përbërjen e komunës së Tetovës, e cila, nuk ka bërë ankesë ndaj vendimit të marrë në vitin 2016, i cili më pastaj përfundon në përmbarim dhe pala për një tokë me vlerë prej vetëm 50 000 euro, nga komuna tërheq fonde në vlerë prej mbi një milion euro. Edhe përkundër ankesave që ka bërë përbërja e tanishme e komunës së Tetovës, por edhe paraqitja e lëndës në krimin e organizuar, nuk ka ende asnjë përgjigje as nga njëra dhe as nga tjetra palë. Ndërkohë, mos dhënia e përgjigjes dhe mos marrja e vendimit , i mundëson palës, që të tërheq madje edhe 500 000 denarë më shumë nga 1.1 milion eurot e mara deri më tani.