Faji nuk është jetim

Autor: Sefer Selimi Jr.

Kur ndërgjegjja qytetare bëhet aleat me të keqen, dëmin dhe pasojat i paguajnë vetë qytetarët. Kështu është edhe në rastin tonë tani që u kthyem në shifrat kur epidemia e virusit korona ishte në pikun e saj. Masat shtrënguese, përfshirë edhe orën policore reflektuan mosbesimin e ndërsjellë mes qytetarëve dhe shtetit duke vërtetur kështu që ky mosbesim është i justifikueshëm sepse edhe qytetarët nuk iu përmbajtën masave ndërsa shteti, ashtu siç pritej, dështoi që të zbatojë ligjin dhe rekomandimet e sjella nga vetë ai. Dhe këtu, tek qytetarët nuk bëjnë pjesë ata që u përmbajtën me përpikëri rekomandimeve dhe masave parandaluese, ndërsa tek shteti nuk bëjnë pjesë mjekët dhe personeli mjekësor që duke vënë në rrezik jetën e tyre u vendosën në vijën e parë të frontit kundër pandemisë për të kryer misionin e tyre, të shpëtojnë jetë njerëzish.

Tek qytetarët bëjnë pjesë të gjithë ata që me përqeshje dhe përbuzje thyenin rregullat, ndalesat dhe rekomandimet dhe për këtë me krenarinë e budallait zgërdhindeshin mbi sakrificën e shumicës tjetër. Të gjithë ata që me guximin e të marrit vendosën ta sfidojnë virusin dhe zgjodhën t’iu besojnë teorive konspirative dhe sharlatanëve që ‘’zbuluan planin e fshehtë’’ të qeverisë së iluminative për të vendosur nën kontroll njerëzimin. Të gjithë ata që në jetën e tyre nuk kanë dhënë as një qindarkë të vetme për të ndihmuar dikë, nuk kanë lëvizur as një gurë të për të ndihmuar komunitetin e tyre, nuk luajtur as me gisht për diçka që nuk ka shkuar apo prekur në interesin e tyre personal të mbushin gojën plot e të kryqëzojnë si komplotist njerëz që me sakrificë e përkushtim punojnë në të mirë të njerëzimit, përfshirë këtu edhe inovatorin e filantropin Bill Gejts. Këta Don Kishotë e Sanço Panço të kohës moderne nuk lanë as mullinjtë lokal të erës pa i ndjekur me heshtat e tyre në mediumet sociale. Analfabetët funksional që nuk munden as një fjali të vetme ta shkruajnë në rrjedhë logjike e pa gabime gramatikore e drejtshkrimore, përligjën gojët e tyre të ndyra duke sharë e ofenduar çdo kënd që bënte thirrje të dëshpëruara duke i lutur që të mbrojnë shëndetin e tyre. Ata qytetarët që kamuflohen në petkun e religjionit dhe devotshmërisë hyjnore, por që nuk respektojnë madje edhe udhëzimet e qarta e të drejtpërdrejtë të profetëve e Zotit të tyre. Ata që religjionin e praktikojnë për inat të tjetrit dhe jo për dashurinë që kanë ndaj të mirës, të përbashkëtës, të kësaj dhe asaj bote.

Tek shteti bëjnë pjesë të gjithë ata palaço politik që më të rëndësishëm e kanë kolltukun e pushtetit dhe privilegjeve se sa shëndetin e qytetarëve që i kanë zgjedhur për t’iu shërbyer. Të gjithë ata që bartin pozicione publike por u shërbejnë interesave partiake. Ata të cilët kishin për obligim të mbrojnë shëndetin e qytetarëve por zgjodhën të mbrojnë rejtingun e tyre. Të gjithë ata që duheshte të sjellin vendime të drejta pa çka se edhe mundej të ishin jopopullore, por zgjodhën të sjellin vendime të gabuara e që ishin populiste. Të gjithë ata liderë fetarë që zgjodhën qesen e tyre në vend të jetëve të ndjekësve dhe besimtarëve. Të gjithë ata që i nxorën në rrugë e sheshe për t’i shkuar pas kryqit apo për t’ju përkulur në sexhde Zotit që i kishte urdhëruar specifikisht ta bëjnë të kundërtën në rast epidemie.

Fundi i kësaj epidemie nuk dihet, nuk dihet as sa do të zgjas dhe as sa viktima tjera do të kemi si peshqesh i të gjithë atyre të lartpërmendurve. Shtetet fqinje dhe të regjionit përballen me rastet e fundit aktive, disa veç më shpallën fitoren mbi pandeminë. Ne jemi ende larg dhe me ç’duket do të vazhdojmë të mbetemi të tillë nëse sillemi kështu siç sillemi tani. Koncepti i zbutjes së masave shtrënguese nuk nënkupton liri të plotë në kushte të jashtëzakonshme si kjo e tanishmja. Ato mund të jenë të suksesshme vetëm nëse zbatohen në masë të madhe nga qytetarët, e në mos në mënyrë vullnetare duhet imponimi nga shteti përmes mekanizmave ndëshkues. Tjetër zgjidhje të shëndetshme nuk ka, të paktën jo deri sa të ketë trajtim apo vaksinë efektive parandaluese.

Përderisa tani jemi duke e luajtur lojën e fajtorit, një mik i imi mjek, ndër të shumtët që në mënyrë proaktive ka qenë i zëshëm dhe prezent gjatë gjithë kësaj periudhe duke dhënë këshilla publike dhe apele për kujdes, kishte vendosur të hesht i prekur nga fyerjet, sharjet dhe ofendimet nga analfabetët funskional dhe ca lolo fejsbukian. Nëse njerëzit kompetent, që kanë bërë vitet të tëra studime, shkollë e përgatitje shkencore dhe profesionale heshtin karshi matrapazëve të trimëruar nga pëlqimet e bashkëmendimtarëve të tyre injorantë, këtë vend që e ka marrë lumi nuk e shpëton asnjë digë.