Fadil Cana për vaksinën: Është e sigurt dhe i vetmi mjet luftarak


A mund të ketë vaksina efekte të padëshirueshme dhe para se të vaksinohemi kundër Covid-19 a duhet të bëjmë kontrolle shtesë? Këto janë pyetjet që brengosin shumë qytetarë, pak kohë përpara se vaksina të arrijë edhe në vendin tonë. Infektologu Fadil Cana thotë se vaksinat që janë në qarkullim janë shumë të sigurta por të njëjtat nuk kanë efekt nëse pranohen pasi të jeni infektuar. Ai tha se personat që e kanë kaluar virusin, si kategori e veçantë nuk janë prioritet në pranimin e vaksinës. E për atë se sa do të zgjas imuniteti i qytetarëve që do të pranojnë vaksinat mjeku Fadil Cana tha se ende nuk dihet sa zgjat efekti mbrojtës i të njëjtave.

“Normal që vaksina në fazë akute të infeksionit nuk mund të pranohet, personat të cilët e kanë kaluar infeksionin me Covid-19, nga ajo që dihet deri tash dhe nga ajo që rekomandohet, nuk mohohet që të vaksinohet por nuk janë prioritet dhe ata në tremujorshin, nga ajo që deri tani kanë mundur dëshmitë shkencore nga lëmia mjeksore në lidhje me koronavirusin të tregojnë që, ajo kategori në tremujorin e parë mundet që në mënyrë komode të pres dhe të kenë një prioritet personat që janë në grupet e riskut”, tha për TV21, infektologu, Fadil Cana.

Por a duhet të vaksinohen shtatzënat dhe lehonat?
“Të tre vaksinat që janë vendosur të jenë në qarkullim , gjatë hulumtimit dhe studimit të tyre nuk e kanë pasur këtë kategori të të prekurve. Në fakt deri tani nuk ka rekomandim të qartë për vaksinimin e grave shtatzëna, apo grave që janë me gjidhënie. Tani për tani nuk preferohet që ajo kategori e popullatës të vaksinohet”, u shpreh Fadil Cana – infektolog.