Evropa shkon drejt lirisë nga pandemia Covid-19

Britania e Madhe po shkon përpara me fazën tjetër të lehtësimit të masave kufizues, një tjetër plan i qeverisë për të rikthyer pak frymëmarrje post-pandemike.
Duke nisur nga 17 maji, baret dhe restorantet do të jenë gati t’u shërbejnë klientëve edhe në ambientet e brendshme. Njerëzit do të kenë mundësinë takohen në grupe prej 30 personash, dhe biznese të tilla si kinematë gjithashtu mund të hapen përsëri. Për më shumë, qytetarët do të jenë të lirë të japin edhe një përqafim.

“Ne të gjithë e dimë se kontaktet e ngushta sikundër përqafimet janë një mënyrë direkte e transmetimit të sëmundjes. Ndaj ju bëj thirrje të mendoni për shëndetin e të dashurve tuaj, nëse ata kanë marrë një vaksinë, të dyja dozat dhe nëse ka kaluar kohë që injektimi të jap efekte”, u shpreh kryeministri Boris Johnson.
Irlanda gjithashtu po shkon drejt lirisë. Do të ketë një kthim gradual në punë për mijëra njerëz pas muajsh bllokimi dhe një rihapje në faza, duke përfshirë edhe muzetë. Qeveria shpreson se ky hap do të jetë “ngritje psikologjike” për vendin.

“Është diçka e mrekullueshme pasi ka kaluar kaq kohë, pesë muaj të vështirë dhe një 2020 aspak e lehtë. Ndaj është bukur të jem këtu dhe mendoj se punësimi i madh që shitësit me pakicë tani po kërkojnë, tregon se ne nuk mund të shkojmë më mbrapa”, thotë Duncan Graham, menaxher.
“Unë mezi pres të takoj sërish të gjithë fëmijët e mi, ashtu sikundër bëja më parë. Jo vetëm thjesht duke i parë tek dera, jo vetëm duke më përshëndetur në telefon. Dua që ata të vijnë tek unë të më vizitojnë fizikisht”, shprehet një i moshuar.

Të gjitha rajonet në Itali nuk përfshihen më në zona të kuqe, përveç tri zonave që do të kenë rregulla pak me strikte. Sicilia dhe Sardenja do të qëndrojnë me ngjyrën portokalli për të paktën një javë më shumë, edhe rajoni i vogël verior i Valle d’Aosta do të vijojë te ketë më shumë kufizime.
Ndërkohë, në Danimarkë kufizimet lehtësuese po shkojnë në të njëjtën linjë me testimin; kërkohet një test negativ i COVID për t’u ulur në një bar ose për të ngrënë në një restorant. Por kjo do të thotë se ka një presion të shtuar mbi qendrat testimit të vendit, kështu që hapja e njësive të reja të inokulimit është kthyer në një përparësi kryesore.