Udhëheqës evropianë dhe ata të NATO-s përgëzuan kandidatin demokrat Joe Biden për fitoren në zgjedhjet presidenciale.
Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, e cilësoi ditë të shkëlqyeshme për Shtetet e Bashkuara dhe Evropën.
” Pjesëmarrja në numër rekord e votuesve, shprehu vullnetin e popullit amerikan për ndryshim. Ditë e shkëlqyeshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropën, ne shpresojmë të punojmë së bashku me administratën e re për të rindërtuar partneritetin tonë”, shkroi ai.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se zoti Biden është mbështetës i fuqishëm i NATO-s dhe marrëdhënieve transatlantike.
“Udhëheqja e Shteteve të Bashkuara është më e rëndësishme sa kurrë në një botë të paparashikueshme dhe unë pres që të punoj shumë ngushtë me presidentin e zgjedhur Biden, zëvendës presidenten e zgjedhur, Kamala Harris dhe administratën e re, për të forcuar më tej lidhjen midis Amerikës së Veriut dhe Evropës”, tha ai.
Zoti Stoltenberg tha se jë NATO e fuqishme është e mirë për Amerikën e Veriut dhe e mirë për Evropën. Së bashku, Aleatët e NATO-s përfaqësojnë pothuajse një miliard njerëz, gjysma e fuqisë ekonomike të botës dhe gjysma e fuqisë ushtarake të botës. Na duhet kjo forcë kolektive për t’u marrë me shumë sfida me të cilat përballemi, duke përfshirë një Rusi më sfiduese, terrorizmin ndërkombëtar, kërcënimet kibernetike dhe raketore dhe një ndryshim në ekuilibrin global të fuqive me rritjen e Kinës. Ne mund të jemi të sigurt dhe të suksesshëm vetëm nëse përballemi së bashku me këto sfida”, tha në urimin e tij zoti Stoltenberg.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, duke uruar zotin Biden tha se mezi pret të punojë me të.
” Miqësia jonë transatlantike është e pazëvendësueshme nëse duam të përballemi me sfidat e mëdha të kohës sonë”, tha kancelarja Merkel.
Kryeministri britanik Boris Johnson përgëzoi zoti Biden dhe zonjën Harris për “arritjen e tyre historike”.
“Shtetet e Bashkuara janë aleati ynë më i rëndësishëm dhe unë pres që të punojmë ngushtë së bashku në përparësitë tona të përbashkëta, që nga ndryshimi i klimës tek tregtia dhe siguria”, tha kryeministri Johnson.
Presidenti francez Emmanuel Macron, tha se “kemi shumë për të bërë për të kapërcyer sfidat e sotme. Le të punojmë së bashku”! shkroi ai.
Dëshira të ngjashme shprehën edhe udhëheqës të shumë vendeve evropiane.