Evropa drejt heqjes së kufizime anti-Covid

Disa shtete evropiane kanë filluar tërheqjen e kufizimeve kundër koronavirusit. Pas Danimarkës, Norvegjisë e Francës edhe Italia ka njoftuar se do të heqë së shpejti këto masa. Njoftimi u bë nga kryeministri Italian Mario Draghi, teksa numri i rasteve të infektimit ka nisur të zvogëlohet.

Italia ka regjistruar më shumë se 147,000 viktima me koronavirus dhe mbi 11 milionë raste të infektimit prej shpërthimit të pandemisë dy vjet më parë.

Shumë kufizime, përfshirë ato në transport dhe restorante tashmë janë lehtësuar për të vaksinuarit, ndërsa kufizimet e ashpra vazhdojnë të aplikohen për ata që nuk janë të imunizuar. Vendosja e maskës vijon të jetë e detyrueshme në ambientet e jashtme.

“Në javët në vijim ne do të vazhdojmë këtë rrugë të rihapjes. Duke u bazuar në të dhënat shkencore, ne do të njoftojmë për afatet e heqjes së kufizimeve aktuale”, ka thënë Draghi, sipas një deklarate të publikuar nga zyra e tij.

Draghi ka thënë se pasaporta shëndetësore e cila tregon se dikush është vaksinuar, apo është shëruar nga sëmundja – nuk do të ketë afat për ata që kanë marrë dozën e tretë. Ndërkohë edhe në Filandë gjatë këtij muaji pritet të heqin masat kufizuese të koronavirusit. Kryeministrja Sanna Marin deklaroi se kufizimet do të hiqen edhe për eventet kulturore dhe sportive. Ndërsa në Çeki hotelet dhe strukturat akomoduese nuk do të duhet të respektojnë më rregullat e koronavirusit, të cilat deri më tani kërkonin që klientët të tregonin një dëshmi vaksinimi ose që ishin shëruar nga Covid-19.

Klan News