Eurodeputetë e analistë evropianë: Dokumenti slloven për kufijtë e Ballkanit hap Kutinë e Pandorës

Dokumenti jo-formal që fliste për ndryshim kufijsh në Ballkanin Perëndimor, po vazhdon të kundërshtohet me gjuhë të ashpër. Eurodeputetë e analistë ndërkombëtarë thonë se kjo mund të hapte Kutinë e Pandorës, e madje mund të sillte katastrofë në këtë rajon.

“Ka shumë pasiguri në këtë letër, por në përgjithësi është shumë shqetësuese dhe e rrezikshme si për Bashkimin Evropian ashtu edhe për Ballkanin Perëndimor. Kjo më shumë tingëllon si një ide e shekullit të XIX dhe nuk do të hapë vetëm një Kuti Pandore, por disa prej tyre. Nëse ajo ide bëhet realitet do të shkaktohet një krizë e madhe”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Viola von Cramon.

Ndërsa, për profesorin britanik Aidan Hehir ky plan është recetë për një katastrofë të madhe.

“Ideja se pakicat nuk mund të jetojnë brenda kufijve ekzistues është një gënjeshtër e nacionalistëve. Problemet janë si pasojë e qeverisjeve jo të mira”, deklaroi Hehir.

Për ekspertin gjerman të çështjeve politike Bodo Weber, në Ballkan ka një dinamikë të re.

“Pavarësisht nëse letra sllovene ekziston apo jo, ajo që ne po shohim është një dinamikë e re dhe e rrezikshme për Ballkanin”, deklaroi Weber. Ditë më parë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kishte deklaruar se e kishte parë një dokument të tillë por se nuk ka dashur ta komentojë atë.