Euro 2020, Maqedonia e Veriut humb nga Ukraina, shënon Alioski

Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut ka humbur nga Ukraina me rezultatin 2:1 në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve në Kampionatin Europian. Zhbllokimin e rezultatit e bëri Jarmolenko në minutën e 29-të, duke realizuar për epërsi 1:0 të Ukrainës, ndërsa vetëm 5 minuta më vonë, Jaremçuk ngriti avantazhin në 2:0. Kah fundi i pjesës së parë, Pandev çoi topin në rrjetën e ukrainasve, por goli u anulua për shkak të pozitës jashtë loje.

Me avantazh 2:0 për Ukrainën u mbyll pjesa e parë, ndërsa në të dytën të përzgjedhurit e Igor Angellovskit ndryshuan lojën dhe golin e gjetën përmes Alioskit në minutën e 57-të, me shqiptarin që ngushtoi diferencën në rezultat 2:1. Pas shënimit të golit, Maqedonia e Veriut regjistroi edhe disa raste të mira për gol, por nuk arritën që të gjejnë rrjetën.

Në minutën e 84-të, Dimitrievski arrin të mbrojë penaltinë e gjuajtur nga Malinovski, duke shpëtuar përfaqësuesen e vendit nga goli i tretë. Deri në fund Maqedonia e Veriut tentoi për të gjetur golin e barazimit, me Trajkovskin që kishte një gjuajtje të fortë, por topi shkoi skaj portës. Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut ndeshjet e tretë dhe të fundit në fazën e grupeve e luan me 21 qershor kundër Holandës në Amsterdam.