Esper: Kina kundërshtari më i madh i SHBA

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Mark Esper tha sot (të shtunën) se Kina kryeson listën e kundërshtarëve potencialë të Pentagonit. Duke folur në konferencën e Sigurisë së Mynihut në Gjermani, zoti Esper tha se Pekini përbën kërcënimin më të madh për Perëndimin, ndjekur nga Rusia, nga ata që ai i quajti “si shtete pa parime” si Koreja e Veriut dhe Irani si dhe grupet ekstremiste.

“Në fakt, nën sundimin e Presidentit Xi, Partia Komuniste Kineze po shkon edhe më shpejt në drejtim të gabuar. Ka më shumë shtypje të brendshme, praktika ekonomike të paskrupullta, më të ashpra dhe më shqetësuese e një sjellje ushtarake më agresive”, tha të shtunën zoti Esper përpara një udhëheqësve botërorë dhe drejtuesve ushtarakë.

Paralajmërimeve të tij u bëri jehonë edhe sekretari i Shtetit Mike Pompeo, i cili shënjestroi kompaninë kineze të teknologjisë “Huawei”.

“Huawei dhe kompani të tjera të teknologjisë të mbështetura nga kinezët janë “kuajt e trojës” për agjencitë kineze të zbulimit”, tha zoti Pompeo.

“Ne nuk mund të lejojmë që informacioni të kalojë përmes rrjeteve tek të cilat ne nuk kemi besim dhe që mund të përfundonin nën kontrollin e paligjshëm të Partisë Komuniste kineze. Është thjesht e papranueshme”, tha ai.

Aleati kryesor i SHBA-së, Britania njoftoi kohët e fundit se do të lejojë Huawei të ndërtojë pjesë të rrjetit të tij celular 5G, një vendim që ka zhgënjyer Uashingtonin.