Eskalojnë tensionet, Armenia thotë se Turqia i ka dërguar 4,000 mercenarë nga Siria në Azerbajxhan

Ambasadori i Armenisë në Rusi tha të hënën se Turqia i ka dërguar rreth 4,000 luftëtarë nga pjesa veriore e Sirisë në Azerbajxhan.

Sipas këtij diplomati, këta mercenarë tashmë janë duke marrë pjesë në luftime përgjatë vijës së frontit në rajonin e kontestuar të Nagorno-Karabakut, raportoi agjencia Interfax.

Megjithatë, një ndihmës i presidentit azer, Ilham Aliyev, e mohoi një gjë të tillë, duke e cilësuar deklaratën e ambasadorit armen si provokim të radhës nga Armenia, transmeton Gazeta Express.

“Thashethemet se militantët nga Siria po dërgohen në Azerbajxhan janë një tjetër provokim nga ana armene dhe s’kanë kurrfarë kuptimi”, tha ndihmësi i presidentit Aliyev, Khikmet Gadzhiev.

Luftimet me Azerbajxhanit me shumicë myslimane dhe Armenisë me shumicë të krishterë paraqet rrezik për përfshirjen e fuqive rajonale si Turqia dhe Rusia.

Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, të dielën u bëri thirrje fuqive botërore që ta parandalojnë ndërhyrjen e Turqisë në konflikt pasi kjo e fundit disa here e ka kërcënuar Armeninë dhe ka thënë se do t’i ofrojë përkrahje në çdo formë Azerbajxhanit.

Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara, Franca, Rusia dhe Kina kanë bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm në zonën e konfliktit.