Është rritur numri i të infektuarve edhe në fqinjësi, sërish mund të ketë masa të reja në kufij

Gjithsej 78 raste me Kovid-19 u regjistruan gjatë ditës së djeshme. Edhe pse numri është dukshëm më i vogël në krahasim me javët e kaluara, megjithatë, kompetentët paralajmërojnë se ditët vjeshtore janë periudhë e rrezikshme në të cilën duhet pasur kujdes. Numri, megjithatë, i rasteve të reja në vendet fqinje është rritur dhe për shkak të kësaj, është e mundur vendosja e masave të reja për hyrje në shtetin tonë.

Siç informon Ministria e Shëndetësisë, dje u bënë 894 testime, ndërsa u regjistruan 78 raste të reja me Kovid-19 në: Shkup – 26, Kumanovë – 4, Dibër – 1, Shtip – 17, Tetovë – 9, Strugë – 3, Manastir – 1, Ohër – 1, Gostivar – 5, Kriva Pallankë – 1, Koçan – 1, Probishtip – 3, Vinicë – 1, Sveti Nikole – 5.

Kanë ndërruar jetë pesë pacientë, tre nga Shkupi, një nga Kumanova dhe një nga Struga. Instituti për shëndet publik regjistroi 172 persona të shëruar nga: Shkupi – 72, Kumanova – 53, Shtipi – 20, Prilepi – 4, Tetova – 10, Velesi – 1, Gostivari – 5, Probishtipi – 2, Resnja – 4, Negotina – 1 …

Numri i përgjithshëm i personave të diagnostifikaur me Kovid në vend, prej fillimit të epidemisë është 7.124, numri i të shëruarve është 3.199, i të vdekurve 346, ndërsa për momentin numri i rasteve aktive në vend është 3.579.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, duhet të jemi të vetëdijshëm, absolutisht të gjithë, se nëse nuk iu përmbahemi masave dhe ka transmision të rritur të virusit dhe numër më të madh të pacientëve, sërish do të vendosen masat restriktive.

Sa më shumë t’i respektojmë masat dhe sa më shumë qytetarë mbajnë maska, siç thekson Filipçe, reduktohet në minimum rreziku nga bartja e virusit. Vjeshta është periudhë absolutisht e rrezikshme, jo vetëm për ne, por edhe për të gjitha vendet.

“Muajt e vjeshtës, personalisht konsideroj se do të jenë rrezik i madh për përkeqësim të situatës me atë që hapja e kopshteve, shkollave dhe sërish komunikim i shtuar mes të rinjve është rrezik plotësues dhe prandaj janë edhe këto përgatitje, i shtretërve shtesë, jashtë nga kapacitetet e tanishme spitalore. Ai frekuentim i sërishëm i shoqërimit të të rinjve në[ shkolla dhe në kopshte. Muajt e vjeshtës me mot më të ftohtë, pamundësia e qytetarëve të presin jashtë në radhë, janë rrezik shtesë”, theksoi Filipçe në konferencën e djeshme për shtyp.

Ai shtoi se në periudhën e kaluar i tërë ekipi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe menaxhuesit e spitaleve ishin të përkushtuar në menaxhimin e kapaciteteve dhe resurseve si dhe organizimin e sistemit të rotacionit.

“Po punojmë në përgatitje të kapaciteteve për periudhën vjeshtore. Në periudhën në vijim do të kemi plan tërësisht të përgatitur për atë se cilët do të jenë shtretërit shtesë që do të përdoreshin për kujdes të pacientëve nëse imponohet nevoja në muajt e vjeshtës me plan për rotacion të personelit mjekësor. Ka disa shtëpi të studentëve në Ohër, Manastir, ku mund të vendosen pacientë, por pyetja është se si kjo do të menaxhohet në periudhën në vijim me Ministrinë e Arsimit dhe si ato kapacitete do të mbushen me studentë”, tha FIlipçe.

Analizat e të hospitalizuarve dhe ardhja e tyre në spital udhëzon në konkludimin se ka një përqindje të mirë të pacientëve me Kovid-19, të cilët vijnë në spital pasi që gjendje t’u jetë përkeqësuar. Edhe përkeqësimi më i vogël, sipas Filipçes, duhet të jetë shenjë se nevojitet hospitalizim për shkak se ajo është mënyra në të cilën do të evitohen komplikime serioze dhe epilogu me vdekje.

Sqaroi se 26 për qind e të sëmurëve me Kovid-19 kanë mbi 60 vite dhe sërish bëri thirrje që të rriturit dhe të sëmurët kronikë të jenë shumë të kujdesshëm.

Sipas raportit të fundit të Institutit për shëndet publik, prej 20 deri më 28 qershor, karahasuar me javën paraprake, janë regjistruar 303 më pak raste të reja me Kovid-19, tetë më mpak raste të vdekjes, 216 më shumë të shëruar.

Kompetentët sërish bëjnë thirrje qytetarët të bashkëpunojnë me punonjësit shëndetësorë, të japin të dhëna të sakta për anketat epidemiologjike, sepse ai është segment mjaft i rëndësishëm për detektimin e hershëm të rasteve të reja.