“Është ai, e njoha menjëherë”, lot dhe emocione! Nëna shqiptare gjen djalin e saj në Greqi pas 20 vitesh

Pak javë më parë në Greqi bëri bujë lajmi i një shqiptari të humbur, i cili nuk mbante mend asgjë nga e shkuara e tij.

I njohur si Petros Koutsoukis, shqiptari i humbur në Greqi doli në media ku kërkohej ndihmë për gjetjen e familjarëve të tij pasi ai nuk mbante mend asgjë.

Fillimisht u mendua se ishte shtetas grek, por një telefonatë e një tjetër shqiptari bëri të kuptohej se ai ishte me origjinë nga Shqipëria.

“20 vite më parë kam punuar me të, ai vjen nga Shqipëria”, tha burri në një lidhje telefonike.

Menjëherë më pas filloi kërkimi për gjetjen e familjes së tij, me të cilën Petro është takuar ditën e sotme.

Emri i tij i vërtetë është Petrit, kështu deklaron gruaja e cila thotë se është nëna e tij. Por asaj do i duhet të jap një kampion për ADN-në te autoritetet greke.

Megjithatë momenti i takimit mes gruas dhe Petros ka qenë mjaft emocionues.

Petro vuan nga amnezia autobiografike dhe për këtë arsye nuk mban mend asgjë nga fëmijëria e tij, përveçse ka disa vezullime.

Gruaja e cila ishte e shoqëruar nga djali tjetër, thotë se është 100% e sigurt se Petro është djali i saj.

“Jam nënë e katër fëmijëve. Jetojmë në Këlcyrë të Shqipërisë. Në vitin 1990 Petriti u largua nga Shqipëria me të tjerë dhe erdhi në Greqi. Mbajtëm lidhje deri në vitin 1995 dhe më dërgonte letra, ku më thoshte se jeton dhe punon në Kalamatë të Mesinisë. Nga viti 1995 deri në vitin 2001 ka ndërprerë komunikimin, por kam dëgjuar për të nga një bashkëfshatar që jetonte në Ekali. Kur erdhi djali tjetër në Greqi, e thirri “Petrit” por ai u përgjigj se nuk është Petriti dhe se nuk na njeh. Pak ditë më parë e pamë në televizor duke kërkuar familjen e tij. E kuptova menjëherë se ishte djali im. Nuk kishte ndryshuar që atëherë. Unë kurrë nuk e kisha raportuar djalin tim të zhdukur”, tha ajo për autoritetet greke.