1 milion e 832 mijë e 696 persona u regjistruan gjithsej si popullsi rezidente në vend. Të regjistruara po ashtu janë 569 mijë e 175 amvisëri dhe 837 mijë e 255 banesa. Ndërsa janë vetregjistruar edhe 204.805 qytetarë që jetojnë jashtë vendit.
Enti i Statistikës thonë se ka përfshirë të gjitha objektet e banimit kurse numri i përgjithshëm i qytetarëve të regjistruar mund të rritet pas kryqëzimit të të dhënave.
“Atje ku përskaj disa përpjekjeve nuk është vendosur kontakt me qytetarët, ata janë ftuar të paraqiten në zyrat e komunave. Ata që nuk kanë arritur ta bëjnë atë, përsëri do të jenë pjesë e regjistrimit sepse pritet të jenë te ndonjëra nga bazat gjatë përpunimit të të dhënave”, deklaroi Apostoll Simovski, drejtor i Entit të Statistikës.
Ai është i bindur se numri i personave që nuk janë regjistruar është më i ulët se 10 mijë. Të dhënat e tyre pritet të gjendet në ndonjërën nga bazat e të dhënave në institucionet e vendit. Për personat që kanë refuzuar të regjistrohen e që janë shumë të paktë në numër, Enti i Statistikës do të fillojë procedurë për përgjegjësi në organet e rendit.
Nga diaspora janë vetëregjistruar 204 mijë e 805 persona. Pjesa më e madhe nga vendet e Evropës perëndimore dhe shumë pak nga vendet përtej oqeanit.
Zv/drejtori i Entit të Statistikës thotë se të dhënat e regjistrimit duhet të përpunohen për një afat prej gjashtë muajsh, por ai beson se kjo mund të bëhet shumë më shpejt, pak para ose pas vitit të ri.