Escobar: Nëse Sali Berisha e merr PD-në, SHBA s’do të ketë marrëdhënie normale me të

I dërguari i posaçëm i Presidentit Biden, Gabriel Escobar, në intervistën ekskluzive për Gazetën Online Reporteri.net ka folur edhe për qëndrimin amerikan rreth situatës së krijuar në Partinë Demokratike në Shqipëri pas sanksionimit të ish-kryetarit Sali Berisha.

Synimet e Sali Berishës për ta eleminuar kryetarin aktual të PD-së Lulzim Basha, Escobari i ka quajtur si jo normale. Sipas tij, nuk është e pranueshme që një person i sanksionuar për korrupsion të jetë fytyra e ndonjë partie.

“Presidenti Biden e ka bërë të qartë. Sekretari Blinken e ka bërë të qartë. Shtetet e Bashkuara do t’ju kërkojnë llogari të gjithë atyre njerëzve për angazhim në vepra të mëdha të korrupsionit ose në përpjekje për minimin e demokracisë anembanë botës dhe në mënyrë specifike në Ballkanin Perëndimor. Nuk është normale dhe nuk është e pranueshme që një person, i sanksionuar për vepra të mëdha të korrupsionit të jetë fytyra e ndonjë partie”, është shprehur emisari i SHBA për Ballkan në intervistën ekskluzive për Reporteri.net.

Tutje, Escobar ka potencuar se SHBA-ja e ka bërë të qartë, që nëse PD-ja udhëhiqet nga një person i sanksionuar për korrupsion, nuk pritet që të ketë marrëdhënie normale mes dy vendeve.

“Dhe në këtë aspekt, e kemi bërë të qartë që nëse Partia Demokratike ose ndonjë parti tjetër udhëhiqet apo përfaqësohet nga ndonjë person, i sanksionuar nga Sekretari i Shtetit për vepra të mëdha të korrupsionit, atëherë nuk mund të pritni marrëdhënie normale”, ka thënë Escobar.

Lexojeni të plotë intervistën e Zëvendësndihmës-Sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, dhënë ekskluzivisht për Gazetën Online Reporteri.net…

GABRIEL ESCOBAR PËR REPORTERI: ‘STATUS QUO’ NË DIALOG PO E BOSHATISË KOSOVËN, NJERËZIT PO IKIN – ASOCIACIONI NUK E CENON SOVRANITETIN