Escobar godet Kurtin pas refuzimit: “Ka shumë zhgënjim me këtë Qeveri të Vetëvendosjes”

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për adresimin e shqetësimeve të Perëndimit që kanë të bëjnë me ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

Escobar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se ka shumë zhgënjim me Qeverinë e Vetëvendosjes jo vetëm në Washington, por edhe në Bruksel.

“Nuk është hera e parë, këtë ua them. Dhe, ka shumë zhgënjim me këtë Qeveri të Vetëvendosjes – jo vetëm në Uashington, por në Bruksel, në Romë, Berlin dhe Paris gjithashtu. Ne, përderisa i afrohemi 25-vjetorit të aksionit të NATO-s, është e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë që forca e marrëdhënies ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është mes njerëzve.

Ne gjithmonë do të jemi miq të ngushtë të Kosovës, por kjo nuk do të thotë se nuk do të kemi dallime me individë dhe me qeveri individuale. Dhe, mendoj se këtu jemi tani… po hyjmë në një periudhë të mungesës së komunikimit. Dhe ne, të paktën nga pala amerikane, po bëjmë gjithçka që mundemi për të riparuar këtë marrëdhënie.”

Ai u përgjigj po ashtu se si do të ndikojë në komunikimin, partneritetin, marrëdhënien që SHBA-ja ka me Kosovën.

“Epo, ju e dini, marrëdhëniet tona bazohen, pothuajse gjithmonë, jo vetëm në interesa të përbashkëta, por në vlera të përbashkëta. Dhe, një nga ato vlera të përbashkëta është përkushtimi ndaj të drejtave të njeriut. Pra, fakti që Qeveria më pro-Kosovës në botë dhe Qeveria më pro-amerikane në botë, pra Shtetet e Bashkuara dhe Kosova, po e kanë këtë vështirësi, nuk është për shkak të politikave tona ndaj Rusisë apo Ukrainës apo Kinës, është për shkak të trajtimit të minoriteteve. Pra, kjo duhet të jetë një thirrje zgjimi për kryeministrin dhe Qeverinë e tij se ku po shkon kjo marrëdhënie.” – tha Escobar.