Ermonela Jaho mesazh për të rinjtë shqiptarë: Mos hiqni dorë nga ëndrrat

Sopranoja e famshme Ermonela Jaho, në një intervistë për Euronews Albania flet për çmimin e saj më të fundit por dhe krizën e madhe që ka përfshirë artin si pasojë e pandemisë. Artistja e madhe tregon nga Barcelona dëshirën që ka për të kënduar në Shqipëri menjëherë sapo teatrot të hapin dyert. Ermonela Jaho mori çmimin e parë në kategorinë e muzikës vokale në Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike (ICMA) me albumin Anima Rara.

“Jam shumë e lumtur për këtë sukses. Ka qenë jashtëzakonisht e vështirë për të gjithë, por sidomos për ne artistët. Për mua personalisht, por jo vetëm për mua, ka qenë diçka shumë e vështirë edhe nga ana shpirtërore pasi arti bëhet dhe ndihet me publikun. Kam pasur momente që kam menduar se nuk shërbej më, që ekzistenca ime nuk kishte më kuptim. Jam përpjekur që të shfrytëzoj karantinën 8-mujore për t’u përmirësuar nga ana artistike. Kam kuptuar shumë gjëra, që asgjë nuk merret si e dhënë. Momenti i bukur i jetës duhet vlerësuar pasi nuk jemi të përjetshëm. Muzika është një mësim i jashtëzakonshëm për të gjithë, ka vetëm një qëllim, e bëjmë për të dëgjuar njëri-tjetrin. Nëse kemi dhembshuri ndaj njëri-tjetrit, çdo moment i vështirë kalohet”, tha sopranoja.

Ermonela Jaho tregon se për shkak të masave ndaj pandemisë iu anuluan 8 projekte dhe rikthimi në skenë erdhi pas plot tetë muajsh. Ajo thotë se shumë prej kolegëve të saj iu desh që të heqin dorë nga karriera pasi kanë familje për të mbajtur.

“8 produksione të anuluara por atëherë kur nuk e prisja, në shator kam pasur një propozim nga opera greke, me rolin e “Madam Butterfly” që e kam aq të dashur. Pas 8 muajsh duke mos qenë në skenë jam ndjerë si ai fëmija i vogël që gëzon për gjerat më elementare, për gjerat më të bukura. Provën e parë që kam pasur pas 8 muajsh të këndoja në skenë, të këndoja me kolegët e mi, nuk pushoja së kënduari. Mbaroi prova e muzikalit, se opera zgjat 3 orë, pas atyre 3 orësh doja të këndoja dhe mendova me lot në sy, nuk duhet marrë si e dhënë absolutisht asgjë. Arti nuk është thjesht argëtim, është nevojë shpirtërore”, shprehet znj. Jaho.