Erdogani i qahet Trudeaus për pezullimin e dronëve: Kjo s’është në frymën e aleancës


Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, i ka thënë kryeministrit kanadez, Justin Trudeau se pezullimi i eksportimit të teknologjisë së dronëve nuk është në vijë me frymën e aleancës, njoftoi zyra e Presidencës Turke në orët e vona të së premtes.
Kanadaja më herët këtë muaj e pezulloi shitjen e një pjesë të teknologjisë së dronëve të saj në Turqi gjatë kohës kur po i heton dyshimet se këto pajisje po përdoren nga forcat e Azerbajxhanit kundër Armenisë në përl*eshjen mes dy vendeve.

Presidenca e Turqisë tha se gjatë një bisede telefonike të zhvilluar të premten, Erdogani dhe Trudeau diskutuan për përmirësimin e marrëdhënieve dhe rritjen e tregtisë dypalëshe, duke shtuar se ata biseduan edhe për tejkalimin e mospajtimeve sa i përket bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.
“Gjatë telefonatës, presidenti Erdogan tha se pezullimi i eksportit të disa mallrave ushtarake në Turqi për shkak të konfliktit Azerbajxhan – Armeni është kundër frymës së aleancës”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Pas vendimit të Kanadasë për këtë pezullim, ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, deklaroi se vendi i Amerikës Veriore po përdor standarde të dyfishta.
Ndryshe, eksporti i mallrave ushtarake i Turqisë në Azerbajxhan është gjashtëfishuar këtë vit. Shitja e dronëve dhe pajisjeve tjera ushtarake shkoi në 77 milionë dollarë vetëm muajin e kaluar, para se të shpërthenin luftimet në rajonin Nagorno-Karabak.

Grupi kanadez për kontrollin e armëve, “Project Ploughshares”, ka thënë se në bazë të pamjeve të publikuara nga sulmet ajrore të Azerbajxhanit, vërehet se dronët kanë qenë të pajisur me sistemin e pamjeve të prodhuar nga kompania me seli në Kanada, “L3Harris Wescam”, që është njësi e kompanisë amë, “L3Harris Technologies Inc”.